Detaje të reja janë zbardhur nga skema e mashtrimit përmes Call Center-ave që operonin në Tiranë, e goditur nga SPAK në bashkëpunim me autoritetet italiane. Operacioni u zhvillua mbrëmjen e 17 janarit, pas një hetimi të nisur më 9 janar, mbi bazën e provave të dorëzuara nga emisioni investigativ italian Le Iene.
Sipas investigimit, qytetarë italianë dhe europianë mashtronin përmes telefonit dhe bindeshin të investonin në platforma të rreme të kriptomonedhave. Shumat e kërkuara nisnin nga 250 euro dhe shkonin deri në 200 mijë euro. Emisioni “Le Iene” arriti të infiltronte një person brenda Call Center-it, duke dokumentuar mekanizmin e funksionimit të skemës.
Nga dëshmitë e siguruara rezulton se operatorët telefonikë udhëzoheshin që viktimat të mos fitonin më shumë se 30 deri në 50 euro në ditë, në mënyrë që të nxiteshin të investonin sërish shuma më të mëdha. Një shtetas italian i punësuar në Call Center i ka treguar të infiltruarit se nga kjo punë fitonte nga 3,500 deri në 10,000 euro në muaj. Brenda ambienteve, kamerat e telefonave personalë bllokoheshin për të shmangur çdo filmim apo fotografim.
Aksioni i SPAK u shtri në disa ambiente luksoze në kryeqytet. Në listën e objekteve të kontrolluara përfshihen dy kulla në Tiranë: Atti Tower, në rrugën “Ibrahim Rugova”, përballë Katedrales Ortodokse, si dhe një tjetër godinë në bulevardin “Bajram Curri”. Po ashtu, gjatë gjurmimit u zbulua se pajisjet po zhvendoseshin drejt një ambienti tjetër të marrë me qira në Downtown One, ku po ngrihej një Call Center i ri.
Sipas SPAK, Call Center-at funksiononin me role të ndara qartë, në disa gjuhë të huaja, dhe me një strukturë të mirëorganizuar. Organizatorët kishin ngritur një sistem të sofistikuar sigurie, me kamera monitorimi dhe personel civil vëzhgimi jashtë ambienteve. Mbrëmjen e 15 janarit, ky personel ka sinjalizuar drejtuesit për një ndërhyrje të mundshme të autoriteteve, çka çoi në boshatisjen e ambienteve gjatë natës dhe tentativën për zhvendosjen e pajisjeve.
Gjatë operacionit u arrestuan në flagrancë 6 persona: Remir Gjoligaj, Endri Gjata, David Qerimi, Elis Merkaj, Rentjan Peposhi dhe Odeas Kuqi. Me urdhër ndalimi u ndaluan edhe dy persona të tjerë, ndërsa në kërkim janë shpallur tre vëllezërit organizatorë Agim, Alfred dhe Arjan Prekaj.

Nga kontrollet në 28 ambiente të ndryshme, banesa, zyra, automjete dhe garazhe, u sekuestruan qindra pajisje kompjuterike, serverë, telefona, karta SIM, laptopë, hard disqe dhe dokumente. Mes pasurive të sekuestruara është edhe një automjet luksoz i markës Ferrari, që dyshohet se i përket organizatorëve të kësaj veprimtarie kriminale.
SPAK bën me dije se hetimet vijojnë për analizimin e të gjitha pajisjeve të sekuestruara, identifikimin e plotë të personave të përfshirë dhe të viktimave të mashtrimit, në bashkëpunim me autoritetet italiane dhe ndërkombëtare. Prokuroria e Posaçme ka vlerësuar bashkëpunimin me Policinë e Shtetit dhe rolin e emisionit “Le Iene” në dokumentimin e këtij rasti të mashtrimit masiv.








