Ajo që është raportuar prej vitesh nga ne, tashmë ka hyrë zyrtarisht në fazën penale. Pas një serie të gjatë denoncimesh publike për abuzimet me fondet e shëndetësisë gjatë pandemisë, Byroja Kombëtare e Hetimit ka kryer kontrolle në ambientet e laboratorëve “Genius LAB”, në pronësi të biznesmenit Besnik Çullhaj, një nga përfituesit kryesorë të tenderëve publikë në sektorin e shëndetësisë në periudhën e COVID-19.
Kontrollet e Byroja Kombëtare e Hetimit janë zhvilluar pak para festave të fundvitit dhe, sipas burimeve, nuk kanë qenë një veprim rutinë. Ato vijnë pas grumbullimit të provave që lidhen me mënyrën se si kompania “Genius shpk” ka siguruar qindra kontrata publike, kryesisht në kushtet e emergjencës pandemike, kur kontrolli institucional ishte minimal dhe procedurat shpesh formale.
Sipas informacioneve, gjatë ndërhyrjes së BKH-së ka pasur reagime të menjëhershme nga drejtues të kompanisë, të cilët dyshohet se kanë tentuar të zhdukin pajisje, telefona dhe materiale të ndjeshme, në një përpjekje për të fshirë gjurmë të mundshme të shkeljeve. Hetimi i SPAK nuk po fokusohet më vetëm te operatorët privatë, por po shtrihet drejt nivelit të vendimmarrjes politike.
Burime pranë çështjes theksojnë se pa firmat, mbrojtjen dhe orientimin institucional të ish-ministres së Shëndetësisë Ogerta Manastirliu, skema e laboratorëve privatë nuk do të kishte funksionuar në këto përmasa, nuk do të ishte zgjeruar gjatë pandemisë dhe nuk do të kishte prodhuar pasuritë që sot janë objekt verifikimi penal.
Nga pandemia e COVID-19 e në vijim, “Genius shpk” u kthye në një përfitues sistematik të fondeve publike, duke siguruar rreth 270 tendera nga struktura të Ministrisë së Shëndetësisë. Shumica e këtyre procedurave rezultojnë pa garë reale, me oferta sa fondi limit dhe me konkurrencë formale. Të dhënat e Thesarit të Shtetit tregojnë gjithashtu 537 pagesa në favor të kësaj kompanie, me një vlerë totale mbi 384 milionë lekë, pagesa që sipas burimeve hetimore vështirë se mund të realizoheshin pa një mbështetje të fortë politike.
Ky zhvillim vjen pas vitesh raportimesh dhe denoncimesh publike për shkeljet në sektorin e laboratorëve privatë gjatë pandemisë. Që në vitin 2020 dhe 2021, auditimet e Kontrollit të Lartë të Shtetit kanë evidentuar shkelje të rënda ligjore në mënyrën e akreditimit, funksionimit dhe rimbursimit të shërbimeve laboratorike për COVID-19. Në raportet zyrtare është theksuar përjashtimi i padrejtë i Drejtorisë së Përgjithshme të Akreditimit, duke vënë në pikëpyetje vërtetësinë e analizave dhe sigurinë shëndetësore të qytetarëve.
Po ashtu, është dokumentuar fakti se disa laboratorë privatë, përfshirë Intermedica, Alnet, Genius dhe Noval, kanë vendosur çmime identike për testet PCR, duke krijuar një oligopol të pastër në kushtet e një pandemie, ndërsa Autoriteti i Konkurrencës ka qëndruar pasiv. Këto praktika janë cilësuar si marrëveshje të ndaluara të tipit kartel, në kundërshtim të hapur me ligjin për mbrojtjen e konkurrencës.
Në të njëjtën periudhë, është denoncuar edhe mënyra se si koncesioni i laboratorëve mjekësorë dhe marrëveshjet e Ministrisë së Shëndetësisë me operatorë privatë kanë penalizuar laboratorët publikë, kanë vonuar testimet dhe kanë rritur kostot për qytetarët, duke e kthyer pandeminë në një burim fitimi për një rreth të ngushtë biznesesh të lidhura me pushtetin.
Sot, pas vitesh heshtjeje institucionale, hetimi i SPAK dhe veprimet e BKH-së sinjalizojnë se kjo aferë po hyn më në fund në fazën e llogaridhënies penale. Ajo që mbetet për t’u parë është nëse hetimi do të ndalet te laboratorët privatë apo do të shkojë deri te përgjegjësia politike, për të cilën prej kohësh janë ngritur dyshime të forta dhe të dokumentuara.







