Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka përfunduar një valë të gjerë kontrollesh në banesa, zyra dhe subjekte private, në kuadër të hetimeve për dosjen penale që lidhet me zv.kryeministren Belinda Balluku dhe bashkëpunëtorët e saj.
Sipas të dhënave zyrtare, janë kryer gjithsej 54 kontrolle, ndërsa deri më tani janë ekzekutuar 34 prej tyre. Aksioni është përqendruar kryesisht te stafi i Ministrisë së Infrastrukturës, Autoritetit Rrugor Shqiptar dhe Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare. Mes personave ndaj të cilëve është ushtruar kontroll është edhe shefja e kabinetit, Sindi Dushku.
Kontrollet janë kryer nga agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit, me urdhër të prokurorëve të SPAK, si pjesë e hetimit penal ku një pjesë e të dyshuarve ndodhen tashmë nën masa sigurie. Burime pranë hetimit bëjnë me dije se aksioni është zhvilluar pothuajse tërësisht nga BKH, duke shmangur përfshirjen e Policisë së Shtetit në ambientet e brendshme dhe në administrimin e provave.
Sipas informacioneve të bëra publike, me vendim të gjyqtarit Erjon Çela pritet që në ditët në vijim të kryhen edhe 20 kontrolle të tjera ndaj biznesmenëve dhe punonjësve të institucioneve publike të dyshuar për përfshirje në këtë dosje.
Më herët janë kontrolluar edhe banesat e Sajmir Kuçit, ish punonjës i Autoritetit Rrugor, Erald Elezit, ish drejtor i KESH dhe i pandehur në arrest shtëpie për dosjen e tunelit të Llogarasë, Gentian Gjylit, ish kreu i ARRSH dhe gjithashtu në arrest shtëpie, si dhe të Marsel Hoxhës, Jonida Çeços dhe Viola Haxhihademit, ish sekretare e përgjithshme e Ministrisë së Infrastrukturës dhe aktualisht drejtuese e KESH.
Hetimet po vijojnë për dosjen ku zyrtarja më e lartë nën akuzë mbetet zv.kryeministrja Belinda Balluku, për të cilën SPAK i është drejtuar Kuvendit të Shqipërisë me kërkesë për heqjen e imunitetit dhe dhënien e autorizimit për heqjen e lirisë.








