Me vendim të Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, mëngjesin e sotëm janë ushtruar kontrolle në kuadër të hetimit penal që lidhet me zv.kryeministren Belinda Balluku. Veprimet procedurale janë kryer për të siguruar prova dhe për të verifikuar elementët e dosjes hetimore që po shqyrtohet nga organet e drejtësisë.
Burime për VNA konfirmojnë se kontrollet nuk janë kufizuar vetëm në një drejtim, por janë shtrirë edhe tek biznesmenët Bashkim Ulaj dhe Rrok Gjoka, emra të njohur në fushën e kontratave publike. Sipas të njëjtave burime, veprimet janë zhvilluar si pjesë e të njëjtit hetim penal që lidhet me çështjen e Ballukut.
Gjatë kontrolleve, autoritetet kanë sekuestruar dokumente dhe pajisje kompjuterike. Këto materiale do t’i nënshtrohen ekspertimit nga organet e drejtësisë, me synim që të analizohen dhe të shërbejnë për verifikimin e mëtejshëm të të dhënave dhe provave që lidhen me dosjen.
Më herët, VNA publikoi detaje nga dosja hetimore, ku biznesmeni Bashkim Ulaj evidentohet si një nga operatorët ekonomikë kryesorë të Ministrisë së Infrastrukturës, përfitues i tenderave me vlera miliona euro. Në këtë kontekst, kontrollet e ushtruara mëngjesin e sotëm synojnë të ndihmojnë hetimin në sigurimin dhe administrimin e provave, si edhe në sqarimin e elementëve të çështjes.








