Oficerët e Byrosë Kombëtare të Hetimit, me urdhër të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, kanë sekuestruar telefonin celular të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ilir Proda. Veprimi procedural është kryer në kuadër të një hetimi penal në zhvillim, ndërsa deri në këtë fazë nuk janë dhënë detaje zyrtare mbi akuzat konkrete apo mbi statusin e Prodës në këtë çështje.
Ky zhvillim vjen vetëm pak ditë pas pezullimit nga detyra të nën/drejtorit të Policisë së Tiranës, Erion Ismailaj, i cili dyshohet se është përfshirë në veprime të paligjshme, përfshirë ndihmën ndaj personave të tjerë në një rast pengmarrjeje. Hetimet kanë ngritur dyshime për lidhje mes zyrtarëve të policisë dhe individëve të përfshirë në aktivitete kriminale dhe korrupsion.
Sipas burimeve pranë hetimit, SPAK po verifikon një skemë më të gjerë, ku struktura të caktuara të Policisë së Shtetit dyshohet se janë implikuar në bashkëpunim me grupe kriminale, duke përfshirë ryshfete, veprimtari të paligjshme dhe abuzime me pushtetin. Sekuestrimi i telefonit të kreut të Policisë së Shtetit konsiderohet një hap i rëndësishëm në thellimin e hetimeve, të cilat, sipas të njëjtave burime, mund të shtrihen deri në nivele të larta drejtuese.








