Gjykata e Apelit la në burg drejtoreshën e Fondacion “Besa”, Albana Imamin dhe dy të tjerë, për mashtrimin me kreditë fiktive.
Për agjenten, Blertina Kanani, masa u ndryshua në “Arrest shtëpie”, shkruan “Panorama”.
Ndërsa për Matilda Domin dhe Esmeralda Vason, masa e sigurisë “Arrest shtëpie” mbeti e pandryshuar.
Agjentet si në seancat e para, mohuan lidhjen me skemën dhe pretendojnë se janë mashtruar.
Njëra nga të arrestuarat, Orkida Driza, edhe pse pranoi të bashkëpunonte me drejtësinë, nuk i shpëtoi burgut.
Edhe familjarët e Mihal Hanxharit mohuan që ai të kishte lidhje, madje u shprehën se kur ky i fundit kishte marrë vesh skemën, ishte larguar.
Drejtoresha e fondacionit ka thënë para hetuesve se ajo ka bashkëpunuar me agjentet e tjera dhe se kreditë fiktive, përdoreshin për të mbuluar këstet.
Më tej ajo ka shtuar, se kur ka parë se skema po e fuste në borxhe, ka vendosur të mos e vazhdojë më dhe ka deklaruar bilanc negativ me 21%.
Mirëpo tjetër version ka dhënë oficerja e kredive, Matilda Domi, e cila pretendon se është përdorur nga Imami, për regjistrimin e disa kredive.
Dëshmia e drejtoreshës:
“Klientë fiktivë sillnin edhe shtetaset, Blertina Kanani, e cila punonte direkt me Esmeralda Vaso dhe Matilda Domin. Kjo e fundit, punonte me sekserët me emrat Arli, Tani, Ervis dhe Orkida Driza, e cila ishte edhe kliente e fondit “Besa”. Blertina, Esmeralda dhe Matilda përgatisnin dosjet dhe ia shpërndanin oficerëve të kredive, që ishin në punë te Tirana I, degë e fondit “Besa”. Oficerët e kredisë Tirana 1 dhe Tirana 4 ishin në dijeni se kush i sillte këta klientë fiktivë. Më pas, kreditë aprovoheshin, disbursoheshin, ndërsa unë isha i vetmi person që bënte pagesat për këta klientë, për të cilët, kam mandatet e arkëtimit. Matilda Domi për pjesën e klientëve të zyrës së Vorës ka bërë pagesa me lekët e klientëve fiktivë. Po ashtu, edhe Blertina Kanani dhe Esmeralda Vaso kanë përdorur të njëjtën procedurë si Matilda.Me këta klientë fiktivë nuk kam asnjë lidhje dhe asnjë kontakt, por kam bërë vetëm pagesa, në mënyrë që të mos dilte rezultati i keq i fondit dhe këtu filloi marrja e parave me përqindje. Në momentin që u transferova në degën Tirana 4, i njëjti fenomen vazhdoi edhe aty. Kjo gjë bëhej pasi në bazë të rezultatit të mirë të punës, merrnim bonusin mujor si oficerët e kredive, ashtu dhe drejtori i degës”, është shrehur Imami.