Oficeri i Antiterrorit, Igli Haxhiaj, është arrestuar nën dyshimet se ka qenë i përfshirë në një grup të strukturuar kriminal, i goditur nga SPAK në bashkëpunim me autoritetet italiane. Ai akuzohet për disa vepra penale, përfshirë nxjerrjen e sekretit hetimor, korrupsionin dhe shpërdorimin e detyrës, të cilat dyshohet se janë kryer gjatë periudhës që Haxhiaj shërbente në strukturat operacionale të Policisë së Shtetit.
Arrestimi i tij lidhet drejtpërdrejt me operacionin ndërkombëtar kundër trafikut të drogës, të zhvilluar këtë mëngjes në Itali, Shqipëri, Francë dhe Mbretërinë e Bashkuar. Më shumë se 150 oficerë financiarë të Komandës Provinciale të Brescias dhe SCICO-s, me mbështetjen e Europolit, Eurojust-it dhe policive partnere, po zbatojnë 24 masa paraprake dhe po sekuestrojnë rreth 3 milionë euro. Të dyshuarit konsiderohen pjesë e një organizate kriminale të specializuar në trafikun ndërkombëtar të kokainës.
Hetimet janë koordinuar nga Zyra e Prokurorit Anti-Mafia të Brescias dhe kanë zgjatur pesë vite, nga 2020 deri në 2025. Ato janë zhvilluar në bashkëpunim të ngushtë me autoritetet shqiptare dhe zvicerane, si pjesë e një Ekipi të Përbashkët Hetimor. Gjatë fazave të ndryshme janë përdorur teknika të avancuara hetimore, përfshirë deshifrimin e komunikimeve të koduara, përgjimet telefonike dhe vëzhgimet në terren.
Sipas hetuesve, grupi me qendër në Shqipëri dhe degë të strukturura në Itali importonte kokainë nga Amerika e Jugut drejt porteve të Evropës Veriore, për ta transportuar më pas me kamionë të modifikuar në Itali. Dyshohet se mbi 1 300 kilogramë kokainë janë futur dhe shpërndarë në gjashtë baza logjistike në territorin italian. Po aty organizohej edhe menaxhimi i fitimeve, ku paratë ktheheshin drejt Shqipërisë përmes të ashtuquajturve “mushka parash”, kryesisht shoferë autobusësh.
Gjatë fazave të hetimit janë arrestuar 10 persona dhe janë sekuestruar 550 mijë euro, 10 automjete, një armë dhe 130 kilogramë drogë, me një vlerë tregu prej rreth 12 milionë eurosh. Ndërkohë, në të gjithë Italinë po kryhen mbi 35 kontrolle të tjera, të mbështetura nga njësitë e qenve antinatotikë dhe pajisjet e specializuara të SCICO-s dhe ATPI-së.
Detaje të reja dalin edhe për mënyrën e arrestimit të Haxhiajt. Në momentin e ekzekutimit të urdhrit, ai ndodhej në ambientet e Akademisë së Policisë, ku ishte i përfshirë në një kurs tre-mujor specializimi për Antiterrorin. Më parë, ai ka shërbyer në Forcat Operacionale, ndërsa masa e sigurisë është zbatuar nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore.








