Një ngjarje tejet tronditëse ka ndodhur në Athinë, ku një 20-vjeçar me shtetësi rumune ka ngacmuar seksualisht dy nipërit e tij, të moshës 2 dhe 4 vjeç. Abuzimi është kryer në bashkëpunim me një mik të tij 40-vjeçar, me origjinë shqiptare, i cili ndodhej në banesë gjatë kohës kur ndodhën aktet.
Sipas mediave greke, dy burrat jo vetëm që kanë kryer akte të turpshme ndaj fëmijëve, por edhe i kanë filmuar ato me telefonat e tyre celularë. Materialet e gjetura përfshijnë pamje të abuzimit, si edhe dosje të tjera pornografike me të mitur rreth moshës 5 vjeç.
Ngjarja u zbulua kur fëmija 4-vjeçar nisi të bënte veprime të çuditshme dhe i tregoi nënës se i kishte kryer më herët me dajën. E tmerruar nga rrëfimi i të birit, nëna paraqiti menjëherë ankesë pranë autoriteteve. Dy djemtë u ekzaminuan nga një psikolog fëmijësh dhe një mjek ligjor, ndërsa më pas u lëshuan urdhër-arreste për 20-vjeçarin dhe 40-vjeçarin.
Fatmirësisht, nuk ka prova se fëmijët janë përdhunuar, megjithatë abuzimi seksual i kryer mbetet i rëndë.
Gjatë marrjes në pyetje, daja i fëmijëve ka pranuar akuzat, duke thënë se i kreu aktet “për të kënaqur” 40-vjeçarin. Ndërkohë, 40-vjeçari shqiptar i ka mohuar akuzat dhe e ka hedhur fajin te 20-vjeçari. Ai pritet të dalë para gjyqtarit hetues të enjten. Autoritetet po vijojnë hetimet për të zbuluar shtrirjen e plotë të ngjarjes dhe çdo material tjetër të mundshëm të prodhuar apo shpërndarë nga autorët.







