Ditën e sotme është mbajtur seanca e dytë në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, për gjyqtarin e Gjykatës Administrative, Artur Malajn, i cili është edhe kandidat për Inspektor të Lartë të Drejtësisë.
Trupa e Kolegjit kryesohej nga Rezarta Schuetz, relator ishte Sokol Çomo, ndërsa anëtarë, Ina Rama, Ardian Hajdari dhe Luan Daci, shkruan BIRN.
Seanca ndaj Malajt është pjesë e ankimimit të Komisionerit Publik, ndaj vendimit të Komisionit të Pavarut të Kualifikimit.
Kryesuesja e seancës paraqiti gjetjet e Komisionerit Publik, i cili kishte dorëzuar edhe një pasqyrë financiare, përpara këtij organi.
Ndërkohë Malaj hodhi poshtë pretendimet e Komisomerit Publik, ndërsa paraqiti edhe disa prova të reja.
Në fjalën e tij, Malaj tha se ONM kishte bërë ankesë për pikën e pasurisë, ku i referohej analizës financiare për vitet 2007, 2008, 2009 dhe 2011, ligjshmërisë së një apartamenti në Tiranë dhe pronësinë e një vile tre katëshe në Vlorë.
Malaj deklaroi se ai dhe bashkëshortja kishin pasur të ardhura totale prej më shumë se 50.3 milion lekë , gjatë periudhës së deklarimit, ndërsa pasuria e tij përbëhet nga një apartament, një garazh dhe një makinë “Volkswagen”.
Përsa i përket pamundësisë për pagesën e këstit prej 15 mijë eurosh për apartamentin në Tiranë në 2005-ën, gjyqtari tha se kontrata ishte anuluar pas një muaji dhe pagesa nuk ishte bërë kurrë.
Në të njëjtën kohë ai kundërshtoi kërkesën e Komisionerit Publik, për cilësimin e motrës, kunatit dhe nipit të tij, si persona të lidhur me subjektin, duke thënë se kjo lidhje nuk është e llojit që flet ligji.
Edhe për vilën trekatëshe në Vlorë, Malaj tha se dyshimet janë të pavërteta dhe janë thjesht indicie e jo provë.
Pasi mori për bazë provat e paraqitura nga subjekti, Kolegji i Posaçëm i Apelimit, mori vendimin për hapjen e një hetimi gjyqësor ndaj Malajt.
Ndërkohë seanca e radhës në KPA do të mbahet më 25 shtator në orën 10:00.
Artur Malaj ka një karrierë të gjatë në sistemin e drejtësisë dhe prej korrikut 2013 është gjyqtar i Gjykatës Administrative të Apelit.
Ai ka drejtuar Gjykatën e Vlorës nga viti 2004 deri në vitin 2013; kur u promovua nga presidenti i Republikës si gjyqtar në Gjykatën Administrative të Apelit.
Malaj ka qenë gjithashtu edhe anëtar i Kolegjit Zgjedhor.