Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu mblodhi sot Komisionin e Shëndetësisë, ku u miratua në parim projektligji për aderimin në konventën e farmakopesë evropiane.
Sipas Manastirliut, zbatimi i konventës evropiane, do të garantojë cilësi për barnat që prodhohen dhe qarkullojnë në Shqipëri, shkruan “Faxweb”
Më tej ajo shtoi se do të ndërtohen edhe dy laboratorë të rinj për kontrollin e barnave.
“Dy laboratorët e rinj që po ndërtohen dhe pajisen me aparatura moderne në Agjencinë Kombëtare të Kontrollit të Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore do të sigurojnë zgjerimin e gamës së analizave për kontrollin e cilësisë së barnave”, u shpreh Manastirliu.
Pas Manastirliut, fjalën e ka marrë deputeti socialist, Spartak Braho, i cili nuk i ka kursyer kritikat.
Ai tha se Shqipëria është bërë pre e mafias së barnave dhe njerëzit nuk ankohen kot për cilësinë e tyre.
“Mesa kuptuam nga ministrja, akoma s’kemi laborator. Keni dëgjuar që në Europë ekziston mafia e barnave dhe Shqipëria ka qënë pre e kësaj mafie. Njerëzit nuk ankohen kot për cilësinë e barnave. Eshtë një vendim i domosdoshëm i qeverisë që të bëhet pjesë e kësaj konvente”, tha Braho.
Në lidhje me shpenzimet që do të paguhen për ngritjen e laboratorëve, Manastirliu tha se do t’i kushtojnë 1 milion euro buxhetit të shtetit.
Më pas fjalën e ka marrë deputeti tjetër socialist, Bashkim Fino.
Ky i fundit i ka kërkuar llogari ministres, se pse duhet pritur 70 vjetori i Këshillit të Evropës për të aderuar në këtë konventë.
Pjesë e debatit është bërë edhe deputeti Tom Doshi, i cili i ka kërkuar ministres të sqarojë publikun, se laboratorët deri më sot nuk kanë munguar, por thjesht po shkohet drejt përmirësimit.