Sezoni turistik në Vlorë ka hyrë në fazën më të ngarkuar, me fundjavat që sjellin rritje të dukshme të numrit të pushuesve.
Krahas turistëve vendas dhe të huaj, këtë verë vihet re një kthim masiv i emigrantëve shqiptarë, sidomos nga Italia, të cilët kanë zgjedhur të kalojnë pushimet pranë familjarëve në atdhe.
Vetëm mëngjesin e 6 korrikut, mbi 600 pasagjerë mbërritën në portin e Vlorës me tragete nga portet italiane.
Sipas autoriteteve, fluksi nga Italia drejt Vlorës është rritur ndjeshëm krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, dhe pritet të intensifikohet gjatë muajve korrik dhe gusht.
Shumica e pasagjerëve janë emigrantë që jetojnë prej vitesh në shtetin fqinj dhe këtë verë po kthehen për të shijuar bregdetin, natyrën dhe ofertat gjithnjë e më të larmishme që ofron zona bregdetare e Vlorës dhe rrethinat e saj.
Bizneset lokale dhe operatorët turistikë shprehen të kënaqur me ecurinë e sezonit. Strukturat akomoduese, nga hotelet e deri te shtëpitë me qira, janë thuajse të mbushura gjatë fundjavave, duke sinjalizuar një sezon të suksesshëm.
Plazhet e Vlorës, Orikumit, Zvërnecit dhe përgjatë Rivierës po frekuentohen çdo ditë nga pushues, ndërsa mbrëmjeve qyteti gjallërohet me jetë urbane.
Lungomarja mbushet me vizitorë që shëtisin, frekuentojnë lokalet, shijojnë koncertet dhe aktivitetet kulturore që organizohen për turistët.
Për të përballuar fluksin, autoritetet lokale dhe strukturat e sigurisë kanë shtuar masat për ruajtjen e rendit dhe pastërtisë, duke synuar një sezon të sigurt dhe të këndshëm për të gjithë vizitorët.