Pika kufitare e Qafë Botës funksionon sot pa pengesa për qytetarët dhe automjetet private, por transporti i mallrave dhe mjeteve tregtare është pezulluar përkohësisht, për shkak të një skandali që ka përfshirë autoritetet doganore greke.
Kjo masë vjen pas një operacioni të gjerë të autoriteteve hetimore në Greqi, të cilat kanë arrestuar 13 punonjës të doganës së Mavromatit, mes tyre edhe drejtuesin e kësaj dogane.
Të arrestuarit dyshohet se ishin pjesë e një skeme abuzive me ryshfet dhe shpërdorim detyre, që lejonte kontrabandën e mallrave nëpërmjet kufirit greko-shqiptar.
Sipas raportimeve nga mediat greke, hetimet kishin nisur prej muajsh dhe janë mbështetur në përgjime telefonike, të cilat kanë zbuluar se doganierët bashkëpunonin me individë të përfshirë në trafik mallrash, duke shmangur kontrollet zyrtare në këmbim të pagesave të paligjshme.
Pezullimi i qarkullimit për mjetet me ngarkesa ka krijuar vonesa dhe bllokime të përkohshme për tregtarët dhe kompanitë e transportit, ndërkohë që autoritetet greke po punojnë për të rikthyer funksionimin e rregullt të pikës doganore.
Në anën shqiptare, kalimi i udhëtarëve dhe mjeteve pa ngarkesë vijon pa ndonjë pengesë, por situata mbetet e monitoruar për zhvillime të mëtejshme.