Një ngjarje e rëndë tronditi një javë më parë kryeqytetin, ku 26-vjeçari Indrit Çelaj, mbeti i vrarë me plumb në kokë, pas një debati për kondicionerin që ridhte ujë.
Në lidhje me këtë ngjarje policia ka arrestuar 4 persona, ndërsa ka shpallur në kërkim Albano dhe Griseldo Kusin.
Ky i fundit mendohet të ketë shkrepur armën në drejtim në 26-vjeçarit.
Ndërkohë njëri prej të arrestuarve është edhe Ali Sula, i njohur edhe me emrin Mondi, i cili siguroi personat që do të kryenin punimet në vilën e Bujar Kusit.
Sula në dëshminë e tij përpara hetuesve, ka rrëfyer se ka njohje personale me Bujar Kusin, shkruan “Panorama”.
Gjithashtu ai ka treguar, se ka gjetur edhe përgjegjësin e punimeve në vilë, që ishte Bujar Çaka.
Më tej ai ka rrëfyer detajet e telefonatës me Alfred Çakën, i cili i kishte thënë se janë ngatërruar gjërat te puna e tij.
Ndër të tjera Sula ka thënë se e ka telefonuar gjithashtu edhe vetë pronari i vilës, pasditen e 22 gushtit, për ta pyetur se çfarë ka ndodhur.
Sula i ka thënë se nuk e di se kush është punëtori, por që është ngatërruar me Lencin.
“Unë i kam thënë: ‘O vëlla nuk di gjë kush është punëtori, po dëgjova që është ngatërruar me Lencin’. Më pas, më ka marrë në telefon dikush nga Policia dhe më ka thënë se do të paraqitesh në Drejtorinë e Tiranës”- u shpreh Sula përpara hetuesve.
Dëshmia e Ali Sulës
“Unë njihem edhe me emrin Mondi Sula. Kam njohje personale me shtetasin Bujar Kusi, të cilin e kam takuar para rreth dy muajsh në lagje dhe më ka thënë se do të bëjë ca punime kondicionimi te banesa 3-katëshe, e cila ndodhet në rrugën “Muhamet Gjollesha”, afër shkollës “Sabaudin Gabrani”. Unë i kam thënë Bujarit se njoh një shok, i cili bën punime të tilla dhe është shtetasi Alfred Çaka. E kam takuar Alfredin para rreth dy muajsh dhe i kam treguar për punimet që do të bënte Bujari te banesa e tij.
Alfredi ka rënë dakord që ta shohë banesën dhe të bëj pazarin me pronarin e banesës, shtetasin Bujar Kusi. Alfredi kishte filluar punimet te banesa e Bujarit. Unë gjatë kësaj kohe kam pasur telefonata me Alfred Çakën dhe e kam pyetur si po shkojnë punimet dhe ai më thoshte se punimet po shkonin mirë e se ishin drejt përfundimit.
Më datë 22 gusht, rreth orës 11:30, më ka marrë në telefon Alfredi dhe më ka thënë se janë ngatërruar te puna e tij. E kam pyetur se kush ishte ngatërruar dhe ai më ka thënë se nuk dinte gjë. Më ka thënë që të shkoja te puna dhe të shihja çfarë kishte ndodhur. Unë shkova te lokali me emrin ‘V…’, që ndodhet ngjitur me banesën e Bujarit dhe aty nuk kishte asnjë njeri.
Jam afruar tek objekti dhe nuk kam parë asnjë njeri. Dola në rrugën kryesore, përsëri nuk kam parë njeri. Jam kthyer përsëri afër banesës dhe kam dëgjuar disa qytetarë, që unë mendoj se janë banorë të lagjes, duke thënë se punëtori ka bërë sherr me Lencin.
Lenci është një djalë i lagjes, i cili banon në atë lagje dhe e njoh si fizik, si fytyrë dhe më pas jam larguar e shkova në banesën time në Bërxullë. Rreth orës 14:17, ndërkohë që unë kam qenë tek Ura e Limuthit, më ka marrë në telefon Bujar Kusi dhe më ka pyetur se çfarë kishte ndodhur te banesa e tij dhe kush ishte punëtori që ishte ngatërruar aty.
Unë i kam thënë: ‘O vëlla nuk di gjë kush është punëtori, po dëgjova që është ngatërruar me Lencin’. Më pas, më ka marrë në telefon dikush nga Policia dhe më ka thënë se do të paraqitesh në Drejtorinë e Tiranës.
Pas kësaj unë e mora në telefon shtetasin Alfred Çaka dhe i kam thënë se do të shkojmë të dy në Drejtorinë e Policisë Tiranë, pasi na kërkojnë, dhe kështu kemi vepruar. Të dy jemi paraqitur në Drejtorinë e Policisë. Dua të sqaroj se Alfredin e kam pyetur rrugës se kush janë punëtorët që janë zënë aty, ai më ka thënë se është një djalë me emrin Indrit, që e kishte marrë në punë para katër ditësh”.