Sulmet Izrael-Iran/ 5 persona të vrarë dhjetëra të tjerë plagosur

Sulmet me raketë të Iranit në territorin izraelit kanë shkaktuar pesë viktima dhe 92 të plagosur, sipas të dhënave të fundit të publikuara nga shërbimi izraelit i emergjencës Magen David Adom.
Mes viktimave ndodhen dy gra dhe dy burra të moshuar, si dhe një tjetër person ende i paidentifikuar.
MDA konfirmon se raketat kanë goditur katër lokacione në Izraelin qendror, duke përfshirë qytetet Petah Tikva dhe Bnei Brak.
Mes të plagosurve, një grua 30-vjeçare ndodhet në gjendje të rëndë për shkak të dëmtimeve në fytyrë, ndërsa gjashtë të tjerë janë në gjendje të moderuar dhe 85 me dëmtime të lehta.
Ekipet e kërkim-shpëtimit vijojnë operacionet në dy nga zonat e goditura, ku ende raportohet për persona të bllokuar nën rrënoja, përfshirë edhe qytetin e Haifës.
Ndërkohë, Irani ka konfirmuar përmes Gardës Revolucionare se është përgjegjës për një tjetër breshëri sulmesh ndaj Izraelit. Sipas tyre, raketat kanë goditur objektiva të rëndësishëm si pjesë e një fushate hakmarrjeje që, sipas deklaratave zyrtare, do të intensifikohet.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka përsëritur se synimi i vendit të tij nuk është ulja e tensioneve, por ndalimi i përpjekjeve të Iranit për të zhvilluar armë bërthamore. Nga ana tjetër, Ministria iraniane e Shëndetësisë ka bërë të ditur se numri i viktimave në territorin iranian ka shkuar në 224 persona që nga e premtja.
Ministri i Mbrojtjes së Izraelit, Israel Katz, ka bërë një deklaratë të ashpër ndaj Teheranit, duke e cilësuar liderin suprem iranian si një “vrasës frikacak” që ka urdhëruar goditje të drejtpërdrejta ndaj civilëve. Katz paralajmëroi se “banorët e Teheranit do ta paguajnë çmimin” dhe konfirmoi se operacionet izraelite do të vazhdojnë pa ndërprerje.