Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka urdhëruar Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve të marrë masa të menjëhershme për mbrojtjen e jetës së Dashnor Dumanit, vëllait të të penduarit të drejtësisë, Nuredin Dumani.
Vendimi vjen në kuadër të rrezikut të lartë që paraqet pozicioni i tij familjar në raport me rrëfimet që kanë tronditur botën e krimit të organizuar në Shqipëri.
“Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve dhe zyrtarët përkatës të IEVP-së të marrin masa për sigurinë e jetës dhe shëndetit të personit nën hetim, Dashnor A. Dumani, duke pasur parasysh situatën familjare në të cilën ndodhet”, thuhet në vendimin e gjykatës.
Dashnor Dumani, 40 vjeç, u ekstradua së fundmi nga Dubai, ku u ndalua së bashku me Armes Stafën, ky i fundit i akuzuar për pastrim parash dhe i dyshuar si pjesë e grupit kriminal të Çopjave në Elbasan.
Ai ishte në kërkim prej një viti, me urdhër ndalimi për vrasje dhe vjedhje të kryera në kuadër të një organizate kriminale.
SPAK e lidh emrin e Dashnor Dumanit me masakrën e trefishtë në Bradashesh të vitit 2018, ku mes viktimave ishte edhe vëllai i një tjetër të penduari të drejtësisë, Erjon Alibej.
Dyshimet janë se Dumani ka qenë një nga ekzekutorët në atë atentat, megjithatë, këtë rol e ka mohuar vëllai i tij, Nuredin Dumani.
Ky i fundit ka rrëfyer për një rrjet të gjerë vrasjesh me pagesë, ku organizatori kryesor ishte Alibej, dhe objektivi kryesor i atentateve të tij mbetej Talo Çela.