Presidenti amerikan Donald Trump ka nënshkruar një shpallje zyrtare që e cilëson 8 majin si “Ditën e Fitores në Luftën e Dytë Botërore”, në nder të 80-vjetorit të kapitullimit të Gjermanisë naziste dhe përfundimit të luftës në Evropë më 1945.
Duke theksuar rolin udhëheqës të Shteteve të Bashkuara në këtë fitore historike, Trump deklaroi se është koha që SHBA të njohë më me dinjitet dhe vlerësim kontributin e saj në përfundimin e konfliktit global.
Në një postim në rrjetet sociale, ai theksoi se “ndryshe nga aleatët që e nderojnë 8 majin si Ditën e Fitores, ne, që kontribuuam më shumë se kushdo tjetër, nuk e festojmë ashtu siç duhet.”
Përveç kësaj, Trump bëri të ditur se planifikon të shpallë edhe 11 nëntorin si “Ditën e Fitores në Luftën e Parë Botërore”. Por këto iniciativa kanë karakter simbolik, pasi ndryshimi i festave federale kërkon vendim nga Kongresi amerikan. Për këtë arsye, më pas presidenti saktësoi se ditët në fjalë do të shënohen si festa kombëtare jozyrtare.
Shpallja vjen ndërsa vendet evropiane, si Mbretëria e Bashkuar dhe Rusia, zhvillojnë përkujtimore madhështore për 80-vjetorin e fitores.
Në Londër janë organizuar parada dhe homazhe me pjesëmarrjen e familjes mbretërore, ndërsa në Moskë është mbajtur parada e zakonshme ushtarake në Sheshin e Kuq, me mijëra trupa dhe dhjetëra avionë luftarakë.
Trump u shpreh i zhgënjyer që Shtetet e Bashkuara nuk po ndjekin të njëjtin model përkujtimi.
“Pa SHBA-në, Lufta e Dytë Botërore mund të kishte përfunduar ndryshe. Është koha të kujtojmë kush e bëri realisht të mundur fitoren,” tha ai.
Nisma e tij është përshëndetur nga organizatat e veteranëve, të cilat e konsiderojnë të rëndësishëm çdo përpjekje që nderon brezin e luftës. Sipas Departamentit të Veteranëve, nga 16.4 milionë amerikanë që morën pjesë në Luftën e Dytë Botërore, vetëm rreth 66,000 janë ende gjallë.
Ndërkohë, mbetet e paqartë nëse do të ketë aktivitete zyrtare për këtë datë në SHBA, por presidenti ka lënë të kuptohet se do të ketë një tjetër shpallje për Luftën e Parë Botërore më vonë gjatë vitit.