Në 6 maj 1405 lindi Gjergj Kastrioti Skënderbeu, një nga figurat më emblematike të historisë shqiptare dhe udhëheqësi që i dha emrin një epoke të tërë të rezistencës kundër Perandorisë Osmane.
Skënderbeu mishëroi aspiratën e shqiptarëve për bashkim, liri dhe shtetformim. Ai qe i pari që arriti të unifikonte principatat shqiptare nën një qëllim të përbashkët mbrojtjen e atdheut. Nën udhëheqjen e tij u krijua Lidhja e Lezhës më 1444, një aleancë politike dhe ushtarake që i dha vendit formën e parë të organizimit shtetëror.
Me një vizion të qartë politik dhe me një aftësi të rrallë ushtarake, Skënderbeu udhëhoqi për 25 vite një rezistencë të pamposhtur kundër ushtrive osmane. Ai ndërtoi një ushtri të lëvizshme, të shkathët dhe efektive, ndryshe nga trupat mercenare të kohës. Nën drejtimin e tij, shqiptarët fituan beteja vendimtare si ato të Torviollit (1444), Mokrës (1445), Otonetës (1446), dhe veçanërisht mbrojtja heroike e Krujës në vitin 1450, që tronditi vetë themelin e Perandorisë Osmane.
Skënderbeu nuk ishte vetëm një strateg ushtarak. Ai ishte edhe një burrë shteti me vizion europian. Ruajti marrëdhënie të zgjuara diplomatike me fuqitë perëndimore, si Napoli, Vatikani dhe shtetet italiane, duke kërkuar ndihmën e tyre kundër kërcënimit osman. Në një dokument të zbuluar nga Vatikani, ai shpallet edhe “mbret i Shqipërisë”, vlerësim që i jep dimensionin evropian të udhëheqjes së tij.
Figura e tij dallon për tolerancën fetare, përkushtimin ndaj bashkimit kombëtar dhe respektin për popullin. Ai mbrojti jo vetëm territoret, por edhe jetën ekonomike dhe shoqërore të vendit, duke siguruar zhvillimin në viset e lira dhe çlirimin e atyre nën pushtim.
Pas vdekjes së tij më 17 janar 1468 në Lezhë, u varros në Katedralen e Shën Kollit, aty ku dikur kishte thirrur Kuvendin historik të Lezhës. Vdekja e tij la një zbrazëti të madhe dhe një dhimbje të thellë në zemrat e shqiptarëve. Por kujtimi i Skënderbeut nuk u shua kurrë – ai jetoi përmes këngëve, legjendave dhe kujtesës kolektive si simboli i pavdekshëm i qëndresës, unitetit dhe lirisë.