Policia e Durrësit ka identifikuar dhe arrestuar brenda pak orësh autorin e dyshuar të plagosjes së rëndë me thikë të një 21-vjeçari, ngjarje që ndodhi një ditë më parë në lagjen nr. 13 të qytetit.
Në kuadër të operacionit të koduar “Baza”, u vu në pranga 38-vjeçari Ergys Pjeçi.
Gjatë kontrollit në banesën e tij, u sekuestrua arma e krimit dhe pajisje të dyshuara për prodhimin e kriptomonedhave. Gjithashtu, u zbulua edhe një lidhje e paligjshme e energjisë elektrike.
Ndaj të arrestuarit rëndojnë disa akuza penale, ndërsa hetimet vijojnë në bashkëpunim me Prokurorinë.
Njoftimi i policisë:
Zbardhet në kohë rekord plagosja e rëndë me thikë e 21-vjeçarit, e ndodhur dje, në lagjen nr.13.
Policia, në kuadër të operacionit “Baza”, identifikon, kap dhe vë në pranga autorin e dyshuar të plagosjes, si dhe sekuestron armën e krimit.
Gjatë operacionit, autorit të dyshuar i janë gjetur në banesë, pajisje që dyshohet se shërbenin për prodhimin e kriptomonedhave.
Strukturat e Komisariatit të Policisë Durrës, me marrjen e njoftimit se në Spitalin Rajonal Durrës, ishte paraqitur një shtetas i plagosur rëndë me mjet prerës, menjëherë kanë organizuar punën për zbardhjen e ngjarjes. Në kuadër të operacionit “Baza”, shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës, kanë bërë të mundur identifikimin në kohë rekord dhe kapjen shtetasit E. P., i cili dyshohet se në vendin e quajtur “Baza e Hekurudhave”, ka plagosur me thikë, shtetasin L. I., 21 vjeç, banues në Durrës.
Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e shtetasit E. P. janë gjetur thika me të cilën ai dyshohet se ka kryer krimin dhe disa pajisje të cilat dyshohet se shërbenin për prodhimin e kriptomonedhave. Gjithashtu, u konstatua lidhje e paligjshme e energjisë elektrike.
Pajisjet janë sekuestruar nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Kibernetike të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, të cilët vijojnë veprimet hetimore, në bashkëpunim me Prokurorinë, për dokumentimin ligjor të kësaj veprimtarie
Në përfundim të veprimeve, specialistët për Hetimin e Krimeve kanë arrestuar në flagrancë shtetasin E. P., 38 vjeç, banues në Durrës, për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje”, “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”, “Ushtrimi pa licencë i veprimtarive financiare”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Vjedhja e energjisë elektrike ose impulseve telefonike”.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.