Një seri dronësh ukrainas goditën kryeqytetin rus në mbrëmjen e 5 majit, duke detyruar pezullimin e përkohshëm të fluturimeve në të katër aeroportet që shërbejnë Moskën, Vnukovo, Sheremetyevo, Domodedovo dhe Zhukovsky.
Më shumë se 19 dronë u rrëzuan përpara se të mbërrinin në qytet, konfirmoi kryebashkiaku Sergei Sobyanin.
Pavarësisht ndërhyrjes së mbrojtjes ajrore, mbetjet e dronëve ranë pranë një prej rrugëve kryesore që çojnë drejt Moskës, por autoritetet ruse thanë se nuk ka pasur të lënduar apo dëme të mëdha materiale.
Autoriteti i aviacionit civil rus, Rosaviatsia, njoftoi më vonë se fluturimet janë rikthyer në normalitet.
Nga ana ukrainase nuk pati ndonjë deklaratë zyrtare mbi sulmin. Megjithatë, më herët Kievi ka pohuar se objektivat e sulmeve me dronë janë infrastruktura ushtarake dhe logjistike që mbështet operacionet ruse në Ukrainë një përgjigje e drejtpërdrejtë ndaj bombardimeve të vazhdueshme ruse mbi zonat civile dhe energjetike ukrainase.
Ndërkohë, në rajonin e Kurskut, guvernatori Alexander Khinshtein raportoi se forcat ukrainase goditën një nënstacion energjie në qytetin Rylsk, pranë kufirit, duke plagosur dy të rinj dhe duke dëmtuar transformatorët. Si pasojë, një pjesë e madhe e zonës mbeti pa energji elektrike.
“Armiku, në moment agonie, po përpiqet të dëmtojë territorin tonë me çdo mjet,” shkroi Khinshtein në Telegram.
Situata në Kursk mbetet e paqartë. Rusia pretendon se ka dëbuar forcat ukrainase që kishin depërtuar në territorin e saj gjatë një operacioni në gusht 2024, por Kievi nuk e ka konfirmuar një tërheqje të tillë.
Përkundrazi, Presidenti Zelenskyy ka pohuar se trupat ukrainase vazhdojnë të operojnë në Kursk dhe Belgorod.
Komandanti i Përgjithshëm i ushtrisë ukrainase, Oleksandr Syrsky, deklaroi se objektivat kryesore të ndërhyrjes në Kursk janë përmbushur dhe se krijimi i një “zone tampon” përgjatë kufirit mbetet një nga përparësitë strategjike të Ukrainës.
Në anën tjetër të kufirit, autoritetet në rajonin ukrainas të Sumyt u kanë bërë thirrje banorëve të evakuohen nga qytetet Belopolye dhe Vorozhba për shkak të përshkallëzimit të luftimeve në zonë.