Një ngjarje e rëndë kriminale tronditi qytetin e Laçit dy ditë më parë, ku si pasojë e një përplasjeje me armë zjarri mbeti i vrarë 24-vjeçari Gerald Bitri dhe u plagosën disa persona të tjerë.
Sipas burimeve nga Policia dhe spitali, të plagosurit Daniel Gjeloshi, Liridon Ismailaj dhe Angjelina Ndoj ndodhen jashtë rrezikut për jetën dhe janë duke marrë trajtim në Spitalin Universitar të Traumës në Tiranë.
Ndërkohë, gjendja e Amarildo Ndojt paraqitet kritike, ai ndodhet në repartin e reanimacionit dhe pritet t’i nënshtrohet një ndërhyrjeje kirurgjikale.
Nga informacionet paraprake rezulton se konflikti nisi pas një përplasjeje mes automjeteve, gjatë së cilës të rinjtë kanë goditur pasqyrat e njëri-tjetrit.
Pas një debati verbal, palët kanë vendosur të takohen për t’u “sqaruar” në një tjetër vend, por aty situata ka dalë jashtë kontrollit. Klevis Ndreca ka qenë i pari që ka hapur zjarr sapo ka zbritur nga makina, duke qëlluar drejt grupit tjetër dhe duke lënë të plagosur tre persona.
Në shkëmbimin e zjarrit ka reaguar edhe Daniel Gjeloshi, i cili ka qëlluar me armë në drejtim të Ndrecës, por pa shkaktuar të lënduar. Nga breshëria e plumbave është plagosur edhe shoku i Ndrecës, Amarildo Ndoj, si dhe një shitëse ambulante që ndodhej pranë vendit të ngjarjes.
Policia ka gjetur në vendngjarje një armë zjarri pistoletë, që më vonë rezultoi të ishte në pronësi të 26-vjeçarit Daniel Gjeloshi. Ndërkohë, Klevis Ndreca është vetëdorëzuar pranë autoriteteve menjëherë pas ngjarjes dhe ka dorëzuar armën e përdorur në konflikt.
Në dëshminë e tij paraprake, ai ka pretenduar se ka qëlluar për shkak të frikës, pasi sipas tij, të rinjtë përballë ishin të armatosur.