Presidenti amerikan Donald Trump ka njoftuar nisjen e menjëhershme të një mase të re tregtare që mund të tronditë industrinë globale të filmit, vendosjen e tarifave doganore 100% për të gjithë filmat e shpërndarë në kinematë amerikane që janë prodhuar jashtë Shteteve të Bashkuara.
Përmes një mesazhi në platformën Truth Social, Trump argumentoi se “industria amerikane e filmit po vdes shumë shpejt”, duke fajësuar konkurrencën e huaj dhe politikat joshëse të vendeve të tjera që tërheqin prodhuesit amerikanë jashtë vendit.
Ai e cilësoi këtë një “përpjekje të koordinuar” që, sipas tij, përbën një kërcënim për sigurinë kombëtare të SHBA-së.
Që kur është rikthyer në Shtëpinë e Bardhë, Trump ka urdhëruar një sërë hetimesh mbi efektet e importeve në sektorët strategjikë të vendit, përfshirë teknologjinë dhe metalet e rralla.
Ky është hapi i parë formal për të justifikuar tarifat si masa për mbrojtjen e industrisë amerikane, bazuar në rrezikun ndaj sigurisë kombëtare.
Megjithatë, deri më tani nuk janë dhënë detaje mbi mënyrën e zbatimit të tarifave për filmat e huaj. Nisma shihet si një përshkallëzim i ri në luftën tregtare që Trump ka ringjallur ndaj shumë prej partnerëve ekonomikë të SHBA-së.
Kina, e cila është një nga objektivat kryesore të qasjes tregtare të Trump, reagoi muajin e kaluar duke njoftuar se do të reduktojë numrin e filmave amerikanë të lejuar në tregun e saj.
Pekini tashmë operon me një sistem kuotash për shpërndarjen e filmave të huaj, dhe çdo kufizim i mëtejshëm në tregun kinez i dyti më i madh në botë pas SHBA-së mund të dëmtojë ndjeshëm të ardhurat e studiove të Hollivudit.
Kjo lëvizje e Trump pritet të sjellë përplasje të reja në arenën tregtare ndërkombëtare, sidomos në një nga sektorët më të profilizuar të ekonomisë dhe kulturës amerikane.