Tregu imobiliar në Tiranë po përjeton një rritje të pandalshme të çmimeve, duke reflektuar një trend që është thelluar sidomos në fund të vitit 2024. Sipas raportit të fundit të Bankës së Shqipërisë për gjysmën e dytë të vitit të kaluar, çmimet e banesave janë rritur me plot 44%.
Ekspertët dhe agjentët imobiliarë e lidhin këtë rritje të fortë me interesin në rritje të blerësve, veçanërisht emigrantëve shqiptarë dhe qytetarëve të huaj që po zgjedhin Shqipërinë si destinacion për banim apo investim.
“Rezidencat tona në bregdet, rreth 40% të apartamenteve atje janë resident të huaj që blejnë. Kryesisht kemi Europën lindore por së fundmi kemi vënë re që nga e gjithë bota tashmë po vijnë. Nga Amerika, nga Kanadaja kuptohet për nga nivelet që ata kanë mundësi të përballojnë” tha agjenti Orgest Beti.
Një tjetër faktor që po nxit tregun është financimi i lehtësuar nga bankat për blerjen e pronave në faza të hershme ndërtimi. Sipas Betit, shumë individë po marrin kredi që në fazën e parë të ndërtimit, gjë që po e përshpejton procesin e shitjes.
“Që në momentin fillestar pra një pallat apo një objekt i cili ndërtohet në fazën e gropës pastaj ka mundësi që të kreditohet edhe nëpërmjet bankës çka e lehtëson procesin e blerjes së një apartamenti’, u shpreh ai.
Ai thekson gjithashtu se hyrja e Shqipërisë në Bashkimin Evropian do të ndikojë ndjeshëm në rritjen e mëtejshme të çmimeve të pronave.
“Të gjitha vendet e rajonit që janë bërë pjesë e BE-së kanë kaluar të njëjtën fazë, çmimet e pasurive të paluajtshme kanë pësuar një rritje të ndjeshme. Shqipëria do të ndjekë të njëjtin model,” – shton ai.
Megjithatë, aktualisht kërkesa në treg paraqitet disi e ngadalësuar, për shkak të pasigurisë që sjell fushata zgjedhore. Por agjentët janë të bindur se trendi rritës do të rifillojë në muajt në vijim, me rikthimin e stabilitetit politik dhe vijimin e interesit nga tregjet e jashtme.