SPAK ka lëshuar urdhër ndalimi për tre zyrtarë të Policisë Rrugore në Tiranë, të përfshirë në një skemë korrupsioni pasiv.
Në pranga kanë rënë shefi i Komisariatit të Policisë Rrugore R.Z., shefi i sektorit të hetimit të aksidenteve S.N. dhe oficeri i policisë gjyqësore E.T.
Hetimi i Prokurorisë së Posaçme lidhet me një aksident të ndodhur më 16 prill 2025 në Tiranë, ku dy automjete u përplasën dhe pesë persona u dërguan në spital.
Në automjetin tjetër ndodhej vetëm drejtuesja A.V., bashkëshortja e shtetasit E.V., i dyshuar për korrupsion aktiv.
Sipas të dhënave të siguruara nga BKH, tre zyrtarët e ndaluar i kërkuan familjarëve të A.V. një shumë prej 2 mijë eurosh për të shmangur arrestimin e saj.
Paratë u siguruan brenda pak orësh nga bashkëshorti i saj, E.V., dhe iu dorëzuan njërit prej punonjësve të policisë, fakt i dokumentuar gjatë hetimit.
BKH, në bashkëpunim me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore, ekzekutoi urdhrin e ndalimit dhe sekuestroi gjatë kontrolleve 2.5 milionë lekë dhe 26 mijë euro, të cilat konsiderohen prova materiale të korrupsionit.
Hetimet vijojnë në kuadër të procedimit penal të nisur në vitin 2023.