Ushtria amerikane ka njoftuar se ka ndërmarrë një sulm ajror të drejtpërdrejtë ndaj një porti kyç të karburanteve në Jemen, që kontrollohej nga rebelët Huthi.
Objektivi ishte porti i Ras Isa, një nyje strategjike për furnizimin me karburant të forcave rebele të mbështetura nga Irani.
Sipas Komandës Qendrore të ushtrisë amerikane (Centcom), operacioni kishte si synim dobësimin e burimeve financiare të rebelëve, të cilët përfitojnë ndjeshëm nga tregtia e karburanteve.
Në deklaratën e saj, Centcom thekson se sulmi ishte i synuar vetëm ndaj kapaciteteve ekonomike të rebelëve, duke shtuar se “nuk kishte për qëllim të dëmtonte popullin e Jemenit, por të ndihmonte çlirimin e tij nga shtypja e Huthive”.
Nga ana tjetër, rebelët Huthi raportojnë për një numër të lartë viktimash si pasojë e sulmit. Sipas tyre, të paktën 20 persona kanë humbur jetën dhe mbi 50 të tjerë janë plagosur.
Kjo ndërhyrje vjen në kuadër të një fushate më të gjerë ajrore të SHBA-së, e cila nisi më 15 mars me urdhër të presidentit Donald Trump. Qëllimi kryesor është ndalimi i sulmeve të rebelëve ndaj anijeve tregtare dhe atyre ushtarake në Detin e Kuq dhe Gjirin e Adenit.
Veprimet e rebelëve kanë sjellë pasoja të mëdha në lëvizjen ndërkombëtare të mallrave, duke rrezikuar sigurinë në një nga korridoret më të rëndësishme detare Kanalin e Suezit.
Për shkak të këtyre sulmeve, shumë kompani janë detyruar të devijojnë rrugët detare, duke sjellë kosto të shtuara dhe vonesa në tregtinë globale.