Biznesmeni Elman Abule, një nga personat nën hetim në kuadër të çështjes penale ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, është paraqitur këtë të mërkurë në ambientet e SPAK-ut.
Abule akuzohet për pastrim parash, si pjesë e hetimeve që po zhvillohen nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Ai u arrestua më 10 shkurt, ndërsa më 13 mars, Gjykata e Posaçme e Apelit vendosi të ndryshojë masën e sigurisë ndaj tij nga “arrest në burg” në “arrest shtëpie”. Vendimi u mor nga gjyqtari Engert Pëllumbi, i cili ndërkohë la në fuqi masën “detyrim paraqitje” për të pandehurit e tjerë në këtë dosje: Shkëlqim Fusha, Gentian Sula dhe Meriman Palushi.
Hetimet ndaj Erion Veliajt
Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, u arrestua në zyrën e tij më 10 shkurt, si i dyshuar për “korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim në nëntë raste, si dhe për “pastrim të produkteve të veprës penale”. Edhe bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa, është përfshirë në hetim dhe ndaj saj është vendosur masa e “detyrimit për t’u paraqitur”.
Sipas SPAK, nga të dhënat e mbledhura deri në këtë fazë të hetimit paraprak, rezulton se Veliaj dhe bashkëshortja e tij kanë ideuar dhe zbatuar një skemë që synonte përfitime të parregullta nga fondet publike të Bashkisë së Tiranës. Sipas hetuesve, përmes veprimeve të fshehura dhe të jashtëligjshme, ata kanë mundësuar përfitime financiare personale në kurriz të fondeve shtetërore.