Zyra e Prokurorit të Specializuar ka përfunduar zyrtarisht fazën e paraqitjes së provave në procesin gjyqësor ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, si dhe ish-krerëve të tjerë të UÇK-së: Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi. Gjykimi ndaj tyre nisi më 3 prill 2023 në Dhomat e Specializuara në Hagë.
Gjatë kësaj faze, prokuroria ka paraqitur rreth 3,000 prova materiale në disa gjuhë dhe ka thirrur 125 dëshmitarë për të dhënë dëshmi në sallën e gjyqit. Po ashtu, janë dorëzuar mbi 1,430 parashtresa ligjore lidhur me çështjen.
Katër të akuzuarit përballen me akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, përfshirë vrasjen e më shumë se 100 personave, ndalime të paligjshme dhe tortura të qindra civilëve në Kosovë dhe në veri të Shqipërisë, gjatë periudhës mars 1998 shtator 1999. Sipas aktakuzës, viktimat ishin civilë dhe persona që nuk kishin marrë pjesë në luftime.
Në këtë proces janë përfshirë mbi 150 viktima, të përfaqësuara nga Avokati i Viktimave.
Prokurorja Kimberly West ka vlerësuar guximin e dëshmitarëve dhe viktimave që dëshmuan gjatë këtyre dy viteve. Ajo u shpreh se drejtësia është një domosdoshmëri për të ardhmen e Kosovës dhe theksoi rëndësinë e procesit në zbardhjen e së vërtetës.
“Përballja me krimet si vrasja dhe tortura është e domosdoshme. Për Kosovën, respektimi i sundimit të ligjit dhe i drejtësisë është thelbësor për të ardhmen,” deklaroi ajo.
Faza e mbrojtjes pritet të nisë në vijim, ndërsa procesi konsiderohet ndër më të rëndësishmit në historinë e pasluftës së Kosovës dhe drejtësisë ndërkombëtare.