Skip to content
Bota

E rëndë në Itali / I riu del nga burgu, rrëmben dhe përdhunon një shqiptare

· 2 min lexim

Një ngjarje tronditëse ka ndodhur në Padova të Italisë, ku një 36-vjeçar me origjinë nga Kosova është arrestuar për rrëmbimin dhe përdhunimin e një gruaje shqiptare, vetëm një ditë pasi ishte liruar nga burgu.

Sipas autoriteteve italiane, viktima 37-vjeçare ishte kontaktuar në orët e para të mëngjesit të së shtunës nga një burrë i panjohur, i cili e mashtronte duke i thënë se djali i saj 18-vjeçar ishte në rrezik. E alarmuar, ajo doli nga shtëpia dhe u përball me autorin, i cili e kërcënoi me armë dhe e detyroi të shkonte me të.

Fillimisht, e reja u mbajt e mbyllur për orë të tëra në një apartament të braktisur, ndërsa më vonë u zhvendos në një tjetër banesë, ku autori — nën efektin e kokainës — e detyroi të kryente marrëdhënie seksuale nën kërcënimin e armës. Gruaja mundi të arratisej vetëm pasi mori një telefonatë nga djali, që i konfirmoi se ishte i sigurt.

Pas denoncimit të menjëhershëm, policia italiane organizoi një operacion intensiv dhe pas dy ditësh arriti të lokalizonte dhe të arrestonte autorin, i cili u kap në gjumë, në një banesë ku ishte strehuar.

36-vjeçari rezulton të jetë emigrant i paligjshëm, me të kaluar kriminale dhe precedentë penalë të mëparshëm. Ai ishte liruar nga burgu vetëm 24 orë para kryerjes së krimit.

Ngjarja ka shkaktuar reagime të forta në opinionin publik italian. Presidenti i Rajonit të Venetos, Luca Zaia, e cilësoi rastin si “të patolerueshëm”, duke kërkuar dënime të ashpra dhe masa më të forta mbikëqyrjeje për autorët e dhunës që riatdhesohen ose lirohen.

Ndaj 36-vjeçarit janë ngritur akuzat për rrëmbim, përdhunim dhe armëmbajtje pa leje. Ai ndodhet aktualisht në burgun e Padovës, në pritje të gjykimit.