Agustin Escobar, presidenti dhe CEO i Siemens Spanjë, humbi jetën bashkë me bashkëshorten e tij, Merce Camrubi Modal, dhe tre fëmijët e tyre të mitur të moshave 4, 5 dhe 11 vjeç pasi helikopteri me të cilin po udhëtonin u rrëzua në lumin Hudson në Nju Jork, mbrëmjen e së enjtes.
Pak minuta para nisjes, Escobar u fotografua duke buzëqeshur me familjen, pa e ditur se ato do të ishin momentet e fundit të jetës së tyre.
Helikopteri u rrëzua vetëm 17 minuta pas ngritjes. Sipas hetimeve paraprake, dyshohet se një defekt teknik konkretisht humbja e helikës së bishtit bëri që mjeti fluturues të humbiste kontrollin dhe të përfundonte në ujërat e Hudson-it.
Pamjet e publikuara tregojnë momentet dramatike të përplasjes.
Familja Escobar kishte mbërritur në New York po atë ditë, me qëllim pushime familjare. Agustin Escobar ishte emëruar në krye të Siemens Spanjë në fund të vitit 2022 dhe gëzonte respekt të gjerë në botën e biznesit, me mbi 25 vite përvojë në pozicione drejtimi në SHBA, Amerikën Latine, Spanjë dhe Gjermani.
Katër persona u shpallën të vdekur në vendngjarje, ndërsa dy fëmijët e tjerë u transportuan me urgjencë në Qendrën Mjekësore të Jersey City, ku fatkeqësisht u konfirmua vdekja e tyre. Kryetari i bashkisë së Jersey City, Steven Fulop, dha detaje përmes një postimi në platformën X.
Kryebashkiaku i New York, Eric Adams, shprehu ngushëllimet e tij, ndërsa presidenti Donald Trump reagoi përmes një mesazhi në Truth Social duke shkruar:
“Zoti i bekoftë familjet dhe miqtë e viktimave”. Ai njoftoi gjithashtu se Sekretari i Transportit, Sean Duffy, po merret me hetimin e incidentit.
Kryeministri i Spanjës, Pedro Sánchez, e cilësoi ngjarjen si “një tragjedi të paimagjinueshme” përmes një postimi në X.
Sipas të dhënave nga FlightRadar24, helikopteri ishte një Bell 206L-4 LongRanger IV, i ndërtuar në vitin 2004 dhe i pajisur me certifikatë vlefshmërie ajrore që ishte në fuqi deri në vitin 2029. Autoritetet amerikane nuk kanë dhënë ende informacion për pilotin.
Helikopteri u ngrit nga heliporti në qendër të Manhatanit në orën 14:59, duke ndjekur një itinerar përgjatë bregut jugor të qytetit, më pas u kthye për të ndjekur vijën bregdetare veriore deri në lumin Hudson.
Rreth orës 15:08, sapo kishte kaluar Urën George Washington dhe ishte kthyer për të fluturuar në drejtim të jugut përgjatë bregdetit të Nju Xhersit, kur humbi papritur kontrollin dhe u rrëzua në ujë.