Vrasja e Ilaria Sulës nga i dashuri i saj, Mark Antony Samson, tronditi të gjithë Italinë.
Autori, me origjinë nga Filipinet, i mori jetën 22-vjeçares shqiptare pas një debati, duke e goditur me thikë, ndërsa nëna e tij e ndihmoi në pastrimin e gjakut nga shtëpia dhe fshehjen e trupit.
Së fundmi, gazetari Il Messaggero ka zbërthyer dëshminë e autorit, i cili shpjegoi se çfarë e shtyu në krimin makabër.
Ai tregoi se marrëdhënia e tyre po shkonte drejt fundit, një situatë që ai nuk mundi ta pranonte. “Isha gati të luftoja që Ilaria të kthehej si e dashura ime”, tha ai.
Gjatë marrjes në pyetje, Samson tregoi se si lindi raporti i tyre. “Ne jemi takuar në vitin 2023 dhe më 30 prill të atij viti konfirmuam lidhjen tonë. Ne kishim një marrëdhënie normale si çdo çift me ulje-ngritjet tona”.
“Situata ndryshoi kur Ilaria më kërkoi të shihte notat e provimit të universitetit rreth dy-tre muaj më parë. Ky ka qenë gjithmonë një problem i madh për mua, një traumë që më ka ndjekur që nga shkolla fillore. Gjithmonë kam pasur ankth për sa i përket performancës time përpara prindërve. Ilaria më dha ultimatum se nëse nuk ia tregoja, atëherë do më linte”, thuhej në dëshminë e Samson.
Në fund të janarit, ata vendosën të bënin një pushim në lidhje, por ata vazhduan të takoheshin. Samson shpjegoi se Ilaria ishte e paqëndrueshme, duke e trajtuar herë si të dashur dhe herë si mik, dhe kjo e çoi në një krizë emocionale.
Edhe pse miqtë e tij i thanë të hiqte dorë, ai nuk mundi të pranonte ndarjen. Ata vazhduan të takoheshin për disa ditë, por marrëdhënia u bë më e ftohtë dhe Ilaria shprehte dëshirën të kalonte kohë vetëm me miqtë e saj.
Prokurorët po e akuzojnë Samson për vrasje me dashje të rënduar, duke theksuar marrëdhënien e tij emocionale dhe fshehjen e kufomës.