SPAK ka njoftuar se ka marrë informacion më 12 mars 2025 për një ndërhyrje të paligjshme në adresat e email-eve të disa prokurorëve të posaçëm. Sipas SPAK, ndërhyrja ka ndodhur vetëm në disa adresa emaili të prokurorëve dhe nuk ka prekur sistemin e përgjithshëm IT të institucionit. Falë masave të sigurisë, sistemi i brendshëm i SPAK mbeti i pacënuar.
Pjesëmarrësit në këtë akt kanë mundur të marrin disa informacione, por nuk kanë arritur të sigurojnë akses në dosje hetimore. Ata gjithashtu kanë tentuar të ndërhyjnë në email-in e Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani, por pa sukses. Pas hetimit intensiv, me përfshirjen e Byrosë së Hetimit dhe Sektorit të Ekspertizës, janë identifikuar dhe arrestuar brenda 24 orëve dy individë: ai që ka realizuar ndërhyrjen dhe ai që ka shpërndarë informacionin tek persona të tretë. Pajisjet e përdorura dhe skedarët e shkarkuar janë sekuestruar.
Prokurori i çështjes ka urdhëruar që informacionet e marra të mbeten të papublikuara për të ruajtur sekretin hetimor. Janë marrë në pyetje edhe individë të tjerë që mund të kenë lidhje me të arrestuarit.
Pas hetimit të brendshëm administrativ, është konfirmuar se sistemi i përgjithshëm i IT-së nuk ka pësuar dëme dhe janë marrë masa shtesë për forcimin e protokolleve mbrojtëse. Deri tani, nuk ka prova që sugjerojnë se të arrestuarit kanë bashkëpunuar me personel të brendshëm të SPAK.
SPAK ka siguruar se janë marrë të gjitha masat për mbrojtjen e dosjeve dhe të dhënave të ndjeshme, si dhe për ruajtjen e integritetit të infrastrukturës së institucionit. Hetimet vazhdojnë në kuadër të dyshimeve për një grup të strukturuar kriminal.