Mjeku Gerald Kola, i ftuar mëngjesin e sotëm në emisionin “Koha për t’u zgjuar”, foli për rëndësinë e vaksinimit të fëmijëve dhe frikën që shpesh kanë prindërit, veçanërisht për vaksinën kundër fruthit që bëhet në moshën 1-vjeçare.
Ai theksoi se vaksinat janë themelore për ndërtimin e imunitetit dhe se janë një mënyrë e sigurt për të mbrojtur fëmijët nga sëmundjet infektive.
“Imuniteti i fituar është ai që na ndihmon të përballemi me rreziqet e jetës. Vaksinat luajnë një rol kyç në forcimin e tij. Prandaj, janë të domosdoshme dhe duhet të kryhen,” u shpreh Kola.
Sa i përket mendimit se vaksinat mund të shkaktojnë autizëm, ai e hodhi poshtë këtë si një teori konspirative, duke theksuar se nuk ka asnjë provë shkencore që e mbështet këtë pretendim.
“Nuk ka asnjë fakt që vaksinat e detyrueshme shkaktojnë efekte negative. Ato janë në përdorim prej më shumë se 100 vitesh, me të njëjtën formulë. Lidhja mes vaksinave dhe autizmit nuk është e vërtetuar,” tha ai.
Mjeku gjithashtu këshilloi prindërit që të mos blejnë vaksina në privat, duke vënë në dukje se sistemi i vaksinimit në Shqipëri është i monitoruar rreptësisht dhe garanton siguri.
“Shteti shqiptar e ka shumë të kontrolluar sistemin e vaksinimit. Nuk ka nevojë të blihet vaksina privatisht, sepse ato që jepen falas janë të sigurta dhe efektive,” shtoi Kola.
Ai gjithashtu rekomandoi që prindërit të mos nxitojnë për të ulur temperaturën e fëmijëve pas vaksinimit, përveç rasteve kur ajo arrin mbi 38.5-39°C, pasi reagimi i lehtë i organizmit është një tregues i funksionimit të vaksinës.