Investimet nga të gjitha bizneset që ushtrojnë aktivitet në vendin tonë u ulën ndjeshëm pas pandemisë.
Treguesit ekonomike mbi ndërmarrjet, të cilët u publikuan së fundmi nga INSTAT tregojnë se investimet totale të të gjithë bizneseve në 2023 ishin 178,9 miliardë lekë, vlerë kjo 5,6% më e ulët se në vitin 2022.
Të dhënat mbi treguesit ekonomik të ndërmarrjeve që nga viti 2010 tregojnë për një rritje sistematike me ritme të larta të investimeve të biznesit deri në vitin 2019.
Para 2015 trendi i rritjes së investimeve të biznesit ishte me ritme dyshifrore, teksa 2016-2019 ritmet e rritjes u ulën.
Përgjatë 2020-2023 investimet e bizneseve pësuan rënie të ndjeshme. Në vitin 2020-2021 si rrjedhojë e kufizimeve pandemike rënia e investimeve është e shpjegueshme, por trendi rënës vijoi edhe në 2023.
Të dhënat referojnë se bizneset kanë investuar në vitin 2023 rreth 26% më pak fonde se në vitin 2029.
Reduktimi i investimeve sipas burimeve nga tregu shpjegohet me disa faktorë. Rritja e kostove për pagat, sigurimet shoqërorë dhe lëndët e para, po ushtrojnë presion tek fondet e investimeve. Në vitin 2023 fondi i pagave tek të gjitha bizneset pësoi rritje vjetore 15 për qind dhe fondi i sigurimeve me mbi 20 për qind. Gjithashtu kostot e lëndëve të para janë më të larta se para pandemisë.
Grupi tjetër i arsyeve për rënien e investimeve lidhet me vlerën e ulët të euros në kursin e këmbimit. Sektori i prodhimit dhe sidomos fabrikat për eksport janë vënë në mbijetesë vitet e fundit dhe shume prej tyre kanë falimentuar.
Humbjet që janë akumuluar nga kursi i këmbimit kanë çuar në mbylljen e shumë bizneseve në sektor, dhe të tjera që janë në aktivitet nuk kanë investuar vitin e kaluar.
Bizneset e fasonit pohuan se përgjatë 2024 dhe në ketë periudhë janë duke punuar nën-kapacitet e për rrjedhojë nuk kanë asnjë plan për rritjes investimesh.
Të dhëna më të detajuara tregojnë se bizneset kanë ulur investimet në zërat kryesore të tilla si makineri pajisje, toka dhe ndërtesa.
Ulja e investimeve të biznesit nuk është një lajm i mirë për rritjen e ekonomike dhe atë të punësimit në periudhën afatmesme, por pritet të kompensohet disi nga rritja e investimeve në sektorin publik.
Shpenzimet kapitale (pra, investimet publike) për periudhën 2026-2028 janë mesatarisht rreth 5.9 për qind e PBB në çdo vit buxhetor. Kjo përfshin gjithashtu investimet e reja publike, të cilat mund të realizohen në kuadër të Planit të Ri të Rritjes të zbatuar nga Bashkimi Europian.
Këtë vit zëri buxhetor i investimeve publike është planifikuar rreth 162 miliardë lekë ose 41 për qind më shumë se fakti i vitit 2024. Viti 2025 thyen rekordet historike pasi financimi i brendshëm pritet të jetë 112 miliardë lekë ose më shumë se 1,1 miliardë euro./MONITOR