Më shumë se dy ditë kanë kaluar që nga vrasja e 20-vjeçarit Paulin Preka, në fshatin Guci të Re në Shkodër, policia ende nuk ka autor të dyshuar dhe as një pistë mbi motivet e këtij krimi.
Ajo që është mësuar deri tani është se viktima është qëlluar 6 plumba nga një distancë fare e afërt duke e lënë të vdekur në vend.
Policia ka marrë në pyetje të afërm, familjarë dhe komshinj të familjes Preka, por askush nuk ka mundur të ofrojë informacione lidhur me ngjarjen, madje askush nuk ka dëgjuar krisma, çka sugjeron se vrasja mund të jetë planifikuar dhe realizuar me kujdes.
Hetuesit besojnë se krimi është kryer me një armë me silenciator dhe se vrasësi ka hyrë brenda oborrit të familjes Preka.
Paulin, i riu që u gjet i pajetë pas mesditës të enjten, ishte vetëm në shtëpi për disa ditë, pasi vëllai i tij i vogël dhe i ati ishin në Dukagjin, ku ndodheshin për t’u kujdesur për bagëtitë e tyre.
Megjithatë, nuk ka ende asnjë informacion lidhur me sekuestrimin e telefonit të viktimës për të hetuar bisedat dhe takimet e tij të fundit.
Grupi hetimor po shqyrton dy drejtime për hetimet, të lidhura me të shkuarën e familjes Preka dhe jetën e përditshme të viktimës në Dukagjin
Po ashtu, janë duke u kërkuar gjurmë nëpër objekte që mund të jenë prekur nga autorët, ndërkohë që policia ka konfirmuar se plumbat që morën jetën e të riut janë shkrepur nga një armë, duke sugjeruar se vrasësi mund të ketë qenë një person i njohur për viktimën.
Në fshat mungojnë kamerat e sigurisë dhe nuk ka dëshmues që të kenë parë persona të panjohur.
Xhaxhai i viktimës, i cili e ka gjetur trupin e pajetë të të riut, ka kërkuar sërish që autorët të zbulohet nga policia dhe prokuroria, ndërkohë që priten hetime të mëtejshme për të zbuluar arsyet e kësaj vrasjeje misterioze.
Në ditët në vijim, pritet që familjarët e afërt të viktimës të japin sërish dëshmi lidhur me jetën e tij në Dukagjin dhe mundësinë e ndonjë konflikti me individë atje, përfshirë mundësinë e lidhjeve me aktivitete të paligjshme si kultivimi i kanabisit, që është problematik për shumë vite në atë zonë.