Pas hetimeve të Prokurorisë së Sarandës, shtatë sipërfaqe të mëdha toke buzë detit janë konfiskuar dhe kaluan në favor të shtetit me vendim gjykate.
Një nga dosjet më të bujshme të viteve të fundit është hetuar nga Drejtuesi i Prokurorisë së Sarandës, Kledian Llaho.
Më 1 qershor 2022, Llaho kërkoi arrestimin e 10 personave të dyshuar për akuzat e “falsifikimit të dokumenteve”, “pastrimit të produkteve të veprës penale” dhe “shpërdorimit të detyrës”.
Qytetarë dhe zyrtarë u akuzuan për tjetërsimin e mbi 10 mijë m2 truall buzë detit, përmes dokumenteve të falsifikuara, të cilat më pas u pajisën me certifikata pronësie.
Përveç urdhër arresteve të miratuara nga Gjykata, Prokuroria kërkoi gjithashtu sekuestrimin e këtyre pasurive.
Pas hetimeve, dosja u dërgua në Gjykatë për një grup të të pandehurve, të cilët kërkuan gjykim të shkurtuar. Ndërkohë, hetimet dhe gjykimi vazhdojnë për disa të dyshuar të tjerë, si dhe për një pjesë të sipërfaqes prej 10 mijë m2.
Në seancën përfundimtare për pesë të pandehurit, Prokurori Kledian Llaho kërkoi shpalljen e fajit dhe dënimin e tyre, si dhe konfiskimin e shtatë trojeve buzë detit, me një sipërfaqe totale prej 6640 m2, të cilat kanë një vlerë tregu prej rreth 15 milionë euro.
Në përfundim të seancës, Gjyqtari Alban Vecani ka shpallur dënimet për të pandehurit në lidhje me akuzat për falsifikim dokumentash.
Fredi Mërkuri, Valter Llomi dhe Arhondia Caraj morën dënime nga 1 deri në 1 vit e 2 muaj burgim pas aplikimit të gjykimit të shkurtuar.
Behar Muçobega u dënua me 2 vjet burgim me kusht, me afat 4 vjet, ndërsa Aleko Anagnosti, për “shpërdorim detyre”, u dënua me 2 vjet burgim. Po ashtu, u vendos konfiskimi dhe kalimi në favor të shtetit i sipërfaqes prej 6640 m2.
Nga ana tjetër, vazhdon të mbetet nën sekuestro pjesa e mbetur e sipërfaqes prej 10 mijë m2, ndërsa hetimet dhe gjykimet për të dyshuarit e tjerë vazhdojnë.
Në tre vitet e fundit, Prokuroria e Sarandës, e drejtuar nga Kledian Llaho, ka kërkuar sekuestrimin e rreth 15 mijë m2 truall buzë detit në Sarandë dhe Ksamil, të dyshuara si të përfituara përmes falsifikimit të dokumenteve.