Një përleshje me armë zjarri ka ndodhur mesnatën e së hënës në Çair të Shkupit, ku një person ka humbur jetën dhe dy të tjerë janë plagosur.
Viktima është Hebib Bunjaku, 35 vjeçari nga Shkupi. Dyshohet se motivet e përplasjes janë të natyrës banale.
Më 11 shkurt 2025, në orën 00:06, është raportuar në SPB Shkup nga spitali “Shën Naumi i Ohrit” se dy persona, H.B. (35) dhe A.D. (35), kishin mbërritur me lëndime të shkaktuara nga arma e zjarrit. Pas ndihmës mjekësore, H.B. ka humbur jetën, ndërsa A.D. është ndaluar për mjekim.
Po ashtu, një tjetër person me inicialet N.D. është dërguar në kompleksin e klinikave ‘Nënë Tereza’ për shkak të plagëve të marra.
Policia ka vazhduar hetimet dhe në orën 01:40 ka arrestuar disa persona, përfshirë B.B. (39), N.D. (22), R.R. (41) dhe K.T. (28), të gjithë nga Shkupi, të cilët dyshohet se kanë marrë pjesë në përleshjen e armatosur. Hetimet vazhdojnë për të zbardhur detajet e ngjarjes.