Pas hetimeve për Erion Veliajn, SPAK ka nisur hetime paraprake edhe ndaj deputetes socialiste Klotilda Bushka.
Burime zyrtare konfirmojnë për CNA se Bushka dyshohet për kryerjen e veprës penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.
Sipas informacioneve, deri në këtë fazë hetimore janë siguruar prova konkrete që krijojnë dyshime të arsyeshme se Bushka ka ndërhyrë në procesin hetimor, duke kryer veprime të kundërligjshme për të ndikuar në hetimin e çështjes ndaj Erion Veliajt.
CNA ka siguruar vendimin e GJKKO, ku zbulohet roli i Bushkës dhe përfshirja e saj në përpjekjet për të mbrojtur Veliajn dhe bashkëshorten e tij, Ajola Xoxën.
Sipas dokumenteve, më 10 dhjetor 2024, Bushka ka thirrur në një takim Ina Goxhajn, e cila ishte e thirrur për të dëshmuar në SPAK, dhe i ka kërkuar asaj që të mohonte gjithçka gjatë procesit të pyetjeve.
Një tjetër takim mes tyre është zhvilluar më 11 dhjetor 2024, ku Bushka e ka udhëzuar Goxhajn mbi atë që duhet të deklaronte dhe çfarë duhej të mohonte kategorikisht në Prokurorinë e Posaçme.
“Pas njoftimit për t’u paraqitur në Prokurorinë e Posaçme ka realizuar disa takime me shtetasen Klotilda Bushka, Ajola Xoxa, apo edhe me disa avokatë.
Takimi i parë është zhvilluar me shtetasen Klotilda Bushka (të cilën e ka kushërirë) në datë 10.12.2024, në banesën e prindërve të Klotildës që ndodhet pranë Shkollës së Kuqe. Ka shpjeguar se në këtë takim i ka treguar Klotildës që e kanë thërritur në prokurori, dhe Klotilda e ka urdhëruar që të mohonte gjithçka gjatë pyetjes së saj.
Takimi i dytë është zhvilluar pasdite në datë 11.12.2024, në ambientet e një zyre avokatie, ku pikë kontakti për këtë takim ka shërbyer shtetasi Erald Ismaili i cili e ka telefonuar vetë shtetasen Ina Goxhaj. Në takim ka gjetur Klotilda Bushkën, dhe një djalë tjetër të cilin nuk e di kush është. Fillimisht, ka biseduar me Klotildën, për të cilën sqaron se ajo e mësonte se çfarë duhej të thoshte, gjërat që do të mohoheshin në mënyrë kategorike. Klotilda i ka treguar Inës se gjatë deklarimit duhej të thoshte që ajo (Ina) ishte nismëtare e projektit të dancit, por është marrë Harabeli me organizimin”, thuhet në të dhënat e siguruara nga CNA.