Policia e Tiranës ka arrestuar një person dhe ka shpallur në kërkim një tjetër, pasi kanë mashtruar një biznesmen.
Ata i janë prezantuar si përfaqësues të një funksionari të një institucioni vendor dhe kanë arritur të përfitojnë një shumë prej 6 mijë eurosh.
Përmes operacionit të koduar “Unknown”, të zhvilluar nga Komisariati Nr. 6, janë publikuar pamjet kur dorëzohet shuma e parave.
Shtetasit e identifikuar janë Ervis Belollari, 26 vjeç, i cili është arrestuar, dhe Arsen Matollari, 32 vjeç, i cili është shpallur në kërkim.
Vijon puna për kapjen e Arsen Matollarit dhe për dokumentimin e plotë të rastit, ndërsa materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë për veprime të mëtejshme.