Mëngjesin e sotëm, në emisionin “Koha për t’u zgjuar” në News24, Alban Duraj trajtoi rastet e ndërprerjes së marrëdhënieve të punës nga disa organizata joqeveritare.
Sipas tij, këto organizata po abuzojnë me urdhrin ekzekutiv të nënshkruar nga ish-presidenti i SHBA, Donald Trump, mbi pezullimin e fondeve.
“Për shkak të urdhrave ekzekutive të SHBA, u pezulluan shumë financime që dilnin nga buxheti, për OJF ose ndihma humanitare që USAID ka pasur në shumë vende përfshirë Shqipërinë.
OJF që janë financuar nga USAID dhe ambasada e SHBA kanë nisur largimet nga puna për punonjësit, të cilët ishin të papërgatitur për një zgjidhje të punës në mënyrë të menjëhershme.
Marrëdhëniet e punës janë raste me kontrata pune normale, pra jo me projekte.
Rastet që më janë paraqitur gjatë kësaj radhe ishin kontrata me afat 1-vjeçar. Argument ligjor nuk është se nuk kemi më fonde”, ka shpjeguar ai.
Avokati u ndal te dëmshpërblimet që mund të kërkojë çdo punëmarrës në rast të ndërprerjes së menjëhershme të marrëdhënies së punës.
Ai gjithashtu sqaroi afatet e përcaktuara në Kodin Civil për njoftimin e palëve në rast të ndërprerjes së marrëdhënies së punës.
“Zgjidhje e menjëhershme e marrëdhënies së punës dhe punëmarrësit i takon e drejta për të marrë dëmshpërblim. Nëse është marrëdhënie pune mbi 3 vite, 3 muaj para duhet të njoftohet punëdhënësi për ndërprerjen e marrë dhënies së punës. Pra afatet janë, për një marrëdhënie pune prej 1 viti, duhet që punëmarrësi të njoftohet 1muaj më parë, për një marrëdhënie 1-3 vjet është 2 muaj dhe mbi 3 vite është 3 muaj. Në rast të shkeljeve, punëmarrësi mund të përfitojë paga deri në 12 muaj. Janë një sërë të drejtash që po shkelen nga këto organizata duke abuzuar me urdhrin ekzekutiv të presidentit Trump”, tha ai.