Një ngjarje tronditëse ka ndodhur në Bulqizë, ku një 23-vjeçare, shtatzënë në muajin e pestë, është dhunuar rëndë nga partneri i saj, 24-vjeçari Klejvis Metalla. V
ajza ishte kundër abortit, ndërsa Metalla kërkonte me çdo kusht ndërprerjen e shtatzënisë, duke tentuar madje të bindë edhe familjarët e saj që ta detyronin të abortonte në mënyrë ilegale në një klinikë në Fier.
Më 27 janar, rreth orës 15:30, ai e mashtroi duke e marrë me makinën e tij, së bashku me të vëllain 5-vjeçar, dhe e çoi në një zonë të quajtur “Gurët e Skënderbeut”.
Aty, Metalla ndaloi makinën, e nxori vajzën jashtë dhe e dhunoi brutalisht, duke e goditur me shkelma në bark dhe trup. Më pas i mori celularin dhe u largua, duke e lënë atë të plagosur.
Një kalimtar i rastit e ndihmoi vajzën dhe e shoqëroi në Komisariatin e Bulqizës, ndërsa i vëllai i vogël u dërgua në shtëpi. E mbuluar me gjak dhe me fraktura të shumta, vajza kërkoi ndihmë në polici, por denoncimi nuk iu mor, me arsyetimin se duhej ta bënte në Tiranë, ku banonte autori i dhunës.
Më pas, ajo shkoi me të ëmën në spitalin e Peshkopisë, ku mjekët njoftuan policinë dhe denoncimi u regjistrua. Për shkak të dhunës së rëndë, sipas mjekëve, shtatzënia e saj nuk mund të shpëtohej, dhe fëmija u abortua për të shpëtuar jetën e nënës.
Ndërkohë, të nesërmen, Klejvis Metalla u shpall në kërkim, por ai kishte arritur të largohej nga Shqipëria përmes pikës kufitare të Bllatës. Skandali thellohet edhe më tej, pasi Prokuroria e Dibrës ka regjistruar çështjen vetëm si “dhunë në familje”, duke mos përfshirë vdekjen e foshnjës së palindur si pasojë e dhunës.
Në një përpjekje për t’u mbrojtur, Metalla e mohoi ngjarjen dhe e akuzoi vajzën si përdoruese droge, por më pas pranoi se atë pasdite e kishte marrë me makinën dhe e kishte çuar në “Gurët e Skënderbeut”. Gjithashtu, mesazhet e shkëmbyera tregojnë se ai i kishte kërkuar familjarëve të vajzës që ajo të hiqte fëmijën.