Policia ka vënë në pranga në Luksemburg 30-vjeçarin Edison Pula, i njohur si një nga anëtarët kryesorë të bandës së Niklës dhe i konsideruar “mjeshtër i arratisjeve”.
Edison Pula ishte i dënuar me 14 vjet burg në Shqipëri për vrasje me paramendim të mbetur në tentativë, shkatërrim prone me eksploziv, vjedhje me dhunë dhe mbajtje të paligjshme të armëve.
Arrestimi u krye në kuadër të operacionit “Together”, falë bashkëpunimit mes FAST Albania dhe homologëve të FAST Luksemburgut.
Pula është një emër i njohur për autoritetet shqiptare dhe ato ndërkombëtare, pasi ka arritur të arratiset dy herë nga institucionet e drejtësisë.
Në vitin 2016, ai u arratis nga komisariati i Fushë-Krujës, ndërsa në 2022 u largua nga burgu i Trevisos në Itali, një ngjarje që alarmoi autoritetet italiane, të cilat dyshuan se ai ishte ndihmuar nga mafia ‘Ndrangheta’.
Ai ishte pjesë e bandës së Niklës, një grup kriminal që u shkatërrua në vitin 2016 në operacionin “Shënjestra”. Ai u akuzua për disa atentate, përfshirë vendosjen e eksplozivit në automjetin e ish-policit të burgjeve Gentian Bejtja, i cili mbeti i plagosur në vitin 2016. Bejtja, i cili ka shpëtuar disa atentateve, u ekzekutua më 15 mars 2024.
Së bashku me Pulën, gjatë operacionit u arrestua edhe një 31-vjeçar me inicialet A. S., i kërkuar nga autoritetet franceze me një urdhër arresti europian. Aktualisht, po vijojnë procedurat për ekstradimin e tyre në vendet përkatëse.