Mashtrimet, vjedhjet dhe abuzimet me fondet e huaja, po bëjnë që vendi ynë të mbetet pa investime nga ndërkombëtarët.
Pas Shteteve të Bashkuara të Amerikës edhe Zvicra ka ndërprerë ndihmat për Shqipërinë, në një përpjekje për të rishikuar shpenzimet e saj.
Ministria e Jashtme e Zvicrës njofton se qeveria ka vendosur të ndërpresë programet e ndihmave për zhvillim, që prekin tre vende, Shqipërinë, Bangladeshin dhe Zambian. Kjo, pasi parlamenti zviceran vendosi të miratojë më pak fonde për ndihmën e huaj sesa kishte kërkuar qeveria.
Parlamenti ka shkurtuar 110 milionë Franga zvicerane nga buxheti i bashkëpunimit ndërkombëtar për vitin 2025 dhe 321 milionë Franga zvicerane nga plani financiar deri në 2028.
Ndërkohë në vitin që lamë pas edhe BE ndërpreu fondet që jepte qeverisë tonë për bujqësinë. Në qershor të vitit 2024 Zyra e Bashkimit Evropian kundër Mashtrimeve, OLAF, njoftoi zyrtarisht se ka identifikuar keqpërdorimin e 33 milionë eurove fonde të BE në ndihmë të bujqësisë shqiptare dhe rekomandoi bllokimin e paketës së radhës për sa kohë nuk ka masa për të garantuar mbrojtjen e interesave financiare të BE-së.
Sipas njoftimit për shtyp të OLAF, hetimi i tyre zbuloi se aplikuesve u kërkohej të paguanin një përqindje të lartë të grantit te kompani konsulence “të parapërzgjedhura” të cilat lehtësonin realizimin e kontratave me Agjencinë Shqiptare për Zhvillimi Rural (ARDA), e cila shpërndante fondet.