Në emisionin “Koha për t’u zgjuar” këtë mëngjes, i ftuar ishte avokati Gylsen Zhllima, i cili trajtoi çështjen e trashëgimisë dhe situatat kur humbet e drejta për të trashëguar.
Sipas avokatit, një person humbet të drejtën për të trashëguar një pronë nga trashëgimlënësi në rastet kur kryen një vepër penale kundër tij ose familjarëve të tij.
“Trashëgimia ndodh kur personi ka vdekur dhe familjarët hapin trashëgiminë. Rastet e përjashtimit nga trashëgimia, janë kur personi ka kryer vepra penale në dëm të trashëgimlënësit apo familjarëve të tij, që përfshin bashkëshorten/in ose fëmijët e tij/saj.
Nga veprat penale të parashikuara janë vrasje me dashje, vrasje me dashje e mbetur në tentativë, kallëzim i rremë, dëshmi e rremë, dhunim të trashëgimlënësit dhe ndryshim testamenti.
Në këto raste çështjen e inicion një nga personat në rrethin familjar.
Duhet të përmendim që raste të tilla janë shumë të rralla në Shqipëri, rreth 2 ose 3 në një mijë raste, dhe shkak për këtë është fakti që qytetarët nuk njohin si procedurë”, është shprehur ai.