Gjykata e Durrësit ka lënë në paraburgim Eduart Skorën, një prej organizatorëve kryesorë të kontrabandës së naftës nga Tunizia.
Skora, i arrestuar në kufi, akuzohet për kontrabandimin e 670,000 litrave naftë me anijen “Besart”. Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës ka vendosur masën “arrest në burg” pas vlerësimit të ligjshëm të ndalimit të tij nga gjyqtarja Besjana Garxenaj.
Skora akuzohet për veprën penale “Kontrabandë e kapitenit, pilotit ose ekuipazhit”, kryer në bashkëpunim. Arrestimi i tij u bë në pikën kufitare të Morinës, dhe ai dyshohet se ka luajtur një rol kyç në kontrabandën e naftës, e zbuluar gjatë operacionit të koduar “Ari i Zi”.
Gjatë këtij operacioni, u sekuestruan 670,000 litra naftë të fshehura në balastrat e anijes në portin MBM në Porto Romano të Durrësit.
Deri tani, janë arrestuar tre anëtarë të ekuipazhit dhe pesë të tjerë janë proceduar penalisht. Bashkëpunëtori i Skorës, Florian Biba, është ende në kërkim. Policia ka njoftuar se hetimet për zbardhjen e rrjetit kriminal janë në vijim.
Në kuadër të fazës së dytë të operacionit “Ari i Zi 2”, po kërkohen edhe dy persona të tjerë të dyshuar si organizatorë të kontrabandës së naftës nga Tunizia në Shqipëri.