Gjykata e Posaçme ka dërguar çështjen e deputetit Asllan Dogjani përsëri në SPAK për plotësim hetimesh.
Dogjani akuzohet për deklarim të rremë të pasurisë, dhe GJKKO ka dhënë dy muaj kohë për përfundimin e hetimeve.
Pas këtij vendimi, Dogjani e cilësoi këtë si një triumf, duke e konsideruar denoncimin si një akt hakmarrjeje nga SPAK.
Ai gjithashtu sulmoi mazhorancën dhe kryeministrin Edi Rama për përfshirjen në çështjen e tij.
“E kanë kthyer edhe njëherë çështjen për hetim, sepse nuk është bërë i plotë. Tregon që triumfon drejtësia. Unë kam patur një periudhë shumë të vështirë, jo vetëm vetë, por edhe familja ime. Njerëzit të cilët më kanë ndjekur, i falënderoj të gjithë.
Sot ka fituar drejtësia, është fundi i Edi Ramës. Sepse edhe këta prokurorë e gjyqtarë, kanë filluar ta kuptojnë sepse nesër, do të zëvendësohen nga Edi Rama nga 100 mijë palestinezë, bangadeshas apo emigrantë të ardhur nga vende të tjera. Nëse do të vazhdojë ky njeri, këtu nuk do të flitet më shqip, sepse këtu do të shikoni sesi sjell 25 mijë ton mbetje toksike.E ka kthyer Shqipërinë në një vend mbeturinash. Ky është fundi i Edi Ramës dhe kjo është fitorja dhe triumfi i drejtësisë. Kjo vepër penale e supozuar ku është bërë nga një mashtrues qe e kam kallëzuar për vjedhjen e pronës publike. Është shenjë hakmarrje. E kam denoncuar me banorët për grabitjen e pronës publike. Sot është triumf i drejtësisë por shpresë edhe për qytetarët”, tha Dogjani.
Hetimi ndaj Dogjanit bëhet fjalë për një apartament 128.4 m2 në rrugën ‘Hamid Shijaku’ në Tiranë.