Një 29-vjeçar është arrestuar ditën e sotme në Himarë. I riu posedonte 16 kg lëndë narkotike në mjetin e tij.
29-vjeçari A. A., është banues në fshatin Vokopolë të Beratit. Ai po qarkullonte me armë dhe me lëndë narkotike në mjetin e tij.Policia njofton se i riu është arrestuar në flagrancë.
Pasi kanë dyshuar se në mjetin e tij kishte lëndë narkotike, policia është vënë në ndjekje të tij, derisa e kanë neutralizuar në qytetin bregdetar.
Postimi i plotë i Policisë së Shtetit
Himarë- Operacion antidrogë i koduar “Vunoi”.
Sekuestrohen 16 kg lëndë narkotike Cannabis Sativa në një automjet. Vihet në pranga poseduesi i lëndës narkotike.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Himarë, në bashkëpunim me forcat e FNSH-së Fier, në vijim të kontrolleve të shtuara për kapjen e personave që qarkullojnë me armë apo që tentojnë të trafikojnë lëndë narkotike, bazuar edhe në informacione të marra në rrugë operative, janë vënë në ndjekje të një automjeti të dyshimtë në aksin rrugorë Himarë-Dhërmi, të cilin e kanë ndaluar në kthesën e Jalit.
Nga kontrolli i ushtruar në automjet, është gjetur në bagazh një sasi lënde narkotike prej 16 kg e dyshuar si Cannabis Sativa.
Në vijim të veprimeve procedurale, Seksioni Kundër Narkotikëve dhe Trafiqeve Vlorë, ka arrestuar në flagrancë drejtuesin e mjetit shtetasin A. A., 29 vjeç, banues në fshatin Vokopolë, Berat.
Materialet në ngarkim të këtij shtetasi iu referuan Prokurorisë për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.