Sali Berisha, nga një deklaratë në Elbasan, hodhi akuza të forta mbi qeverinë dhe situatën aktuale në vend. Ai pretendoi se kullat në Tiranë po blihen nga bosë të përfshirë në pastrim parash, krim, drogë dhe trafikim të paligjshëm.
Sipas Berishës, qeverisja 9-vjeçare e kryeministrit Edi Rama ka shkaktuar një eksod masiv të qytetarëve shqiptarë.
Ai deklaroi se vetëm në hapësirën e Bashkimit Europian, janë larguar 1 milion e 99 mijë shqiptarë gjatë kësaj periudhe.
Berisha theksoi se të rinjtë po braktisin vendin për shkak të mungesës së shpresës dhe mundësive për një të ardhme më të mirë.
“I keni parë ju kullat në Tiranë? Pyesni sa përfitojnë nga këto kulla. Ato janë bosh të gjitha sepse droga, trafiku i blen me kate. Po çfarë ndodh? Ato kanë rritur çmimet, e kanë bërë apartamentin mollë të ndaluar për fëmijët tanë. Duhet të punojë nga 70 deri 100 vjet për të blerë një apartament në Tiranë.
Normale është që një i ri të ëndërrojë të ndërtojë të ardhmen aty ku është më mirë, po në Tiranë nuk prek dot asnjë çmim. Pra, prapë rrokullisjen e sjell varfëria. Dhe ne çfarë pësuam? Ne pësuam pakësimin, zbrazjen më të madhe të këtij vendi në histori.
Në 9 vitet e Edi Ramës, janë larguar nga Shqipëria, vetëm në hapësirën e BE, 1 milion e 99 mijë shqiptarë. Gjenocid është kjo sepse ke përdorur varfërinë ti. Edhe përpara kanë lëvizur, por deri në vitin 2013, Shqipëria po rritej në numër, nuk rritej shumë, por po rritej” tha ai.