Drejtoresha e Operas, Abigeila Voshtina, është shkarkuar nga detyra.
Voshtina, e cila është gjithashtu e deleguara e Partisë Socialiste në Njësinë nr. 5 në kryeqytet, dyshohet për abuzim me fondet.
Shkarkimi i saj ka ardhur pas kontrollimeve të kryera nga Krimi Ekonomik dhe Kontrolli i Lartë i Shtetit.
Të dyja institucionet kanë gjetur parregullsi në financat e institucionit që ajo drejtonte, duke ngritur dyshime për abuzim financiar.
Pas kontrollit dhe raportit të KLSH-së, mësohet se rasti i abuzimit me financat e “Operas” është marrë në dorë nga Prokuroria e Posaçme, SPAK.
Burimet për “Pamfletin” kanë raportuar se shkeljet e saj me financat kanë qenë flagrante.
Vlen të theksohet se Voshtina është akuzuar shpesh nga artistë për emërime nepotike, shkelje dhe abuzime financiare.
Pas zërave dhe akuzave të shumta, organet kompetente mesa duket vepruan dhe zbuluan shkeljet e pretenduara nga artistët.
Voshtina ka drejtuar “Operan” që nga viti 2016, dhe ky ishte mandati i saj i tretë në krye të institucionit.
Mandati i saj aktual ka qenë shumë i kontestuar nga artistët, por kryeministri Edi Rama vendosi t’ia besonte edhe një mandat të tretë Voshtinës.