Një ngjarje e pazakontë ka tronditur qytetin e Korçës, ku 16-vjeçari Anxhelo Abidini është larguar nga banesa e tij pesë ditë më parë, duke lënë familjen të shqetësuar dhe të paqartë për arsyet e largimit.
Rasti është denoncuar në polici nga nëna e tij, Ermelina Mustafa, e cila ka shprehur shqetësimin se djali mund të ketë ikur nga frika pas një njoftimi të Prokurorisë së Korçës për hetimet ndaj tij në lidhje me një çështje vjedhjeje.
Sipas nënës, shkaku i largimit të djalit ka qenë një fletë-njoftim nga Gjykata e Korçës, ku ai ishte informuar për përfundimin e hetimeve për një procedim penal që kishte lidhje me vjedhjen e një telefoni celular.
“Ai u tremb kur mori fletën e gjykatës dhe u largua. Ne kemi kërkuar në të gjitha vendet, por ende nuk kemi asnjë informacion. Nuk e dimë ku mund të jetë, por mendojmë se mund të jetë jashtë Korçës,” tha ajo.
Nëna e Anxhelos ka apeluar për ndihmën e publikut, duke kërkuar që kushdo që ka informacion të kontaktojë familjen ose autoritetet.