GJKKO ka pranuar kërkesën e SPAK-ut për kalimin e dosjes së parë të inceneratorit të Tiranës për gjykim.
Prej të pandehurve, tre prej tyre – Silena Tola, Alba Thoma dhe Pëllumb Abeshi – kanë kërkuar gjykim të shkurtuar, ndërsa të tjerët kanë zgjedhur procedurën e gjykimit të zakonshëm. Kërkesa do të shqyrtohet në seancën e ardhshme nga një trupë gjykuese tjetër.
Më 2 gusht, Prokuroria e Posaçme njoftoi përfundimin e hetimeve për 12 të pandehur, të cilët akuzohen për “shpërdorim detyre”. Mes tyre janë Lefter Koka, Pëllumb Abeshi, Erjon Murataj, Bledar Karoli, Taulant Tusha, Namik Simixhiu, Etleva Kondi, Alba Thoma, Valbona Ballgjini, Sidita Kopliku, Jetmir Llapaj dhe Silena Tola.
Ndërkohë, ish-deputeti socialist, Alqi Bllako, është ndarë nga dosja për shkak të hetimeve për akuzën e korrupsionit.
SPAK-u vazhdon hetimet për aferën e inceneratorit të Tiranës, dhe pritet që të dalin para drejtësisë edhe zyrtarë të tjerë të lartë.