Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë dhe institucionet ligjzbatuese shqiptare, ka realizuar me sukses operacionin “RYDOX”, duke goditur një treg të paligjshëm kibernetik dhe arrestuar tre administratorët e tij.
Një prej administratorëve, shtetasi kosovar Sh.S., i cili kishte banim dhe lejeqëndrim në Shqipëri, u arrestua sipas urdhrit të prokurorit të çështjes.
Nga shkurti i vitit 2016, platforma Rydox ka realizuar më shumë se 7,600 shitje të informacionit, duke gjeneruar të paktën 230,000 dollarë të ardhura.
Kjo platformë ka ofruar rreth 321,372 produkte të krimit kibernetik për një bazë përdoruesish prej 18,000 individësh, duke përfshirë informacione personale të vjedhura, si emrat, adresat, numrat e sigurimeve shoqërore, informacionet e kartave të kreditit dhe kredencialet e hyrjes të mijëra personave që jetonin në Shtetet e Bashkuara.
Operacioni është realizuar falë bashkëpunimit të ngushtë mes SPAK, FBI-së (Zyra në Pittsburgh), Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), Drejtorisë së Hetimit të Krimeve Kibernetike në Shqipëri, Prokurorisë Speciale të Kosovës, Policisë së Kosovës dhe Policisë Mbretërore të Malajzisë.
Hetimi është pjesë e Procedimit Penal nr.7 të vitit 2024, për veprat penale të “Mashtrimit kompjuterik” dhe “Pjesëmarrjes në grup të strukturuar kriminal”, sipas Kodit Penal të Shqipërisë.
Aktiviteti i Paligjshëm
Faqja e internetit Rydox funksiononte si një treg i paligjshëm i dedikuar për:
Shitjen e informacionit personal të vjedhur (PII);Shitjen e kredencialeve të aksesit të pajisjeve të vjedhura;
Shitjen e mjeteve dhe materialeve për kryerjen e krimeve kibernetike, duke përfshirë tutoriale dhe mjete për spam.
Rezultatet e Operacionit
Në ekzekutim të urdhërit të Gjykatës së Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, u kryen kontrolle dhe u sekuestruan:
1 njësi kompjuterike dhe 6 laptopë;
5 celularë dhe pajisje të tjera memorizuese;
Dokumente dhe asete monetare në kriptomonedha.